Fondet për bujqësinë, ministrja Denaj: Janë 540 investime! Shehaj: Kanë përfituar individë lidhur me politikën, jo fermerët
Në seancën plenare këtë të enjte, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj dhe deputeti i pavarur, Agron Shehaj vijuan me debatin për fondet e BE, IPARD 2 për bujqësinë lidhur me raportin vjetor të OLAF. Denaj mohoi akuzat se janë vjedhur fondet për fermerët dhe theksoi se janë 540 investime në të gjithë Shqipërinë me këto fonde.
”Më latë dhe ju mua pa fjalë. Jam e kënaqur që ju lashë pa fjalë. Nëse keni emra pse nuk i çoni në SPAK, pse i sillni këtu? Nuk kemi detyrim të japim përgjigje për emra të përveçëm, çojini tek organet e drejtësisë. Sa i takon raportit të OLAF, që e paskeni lexuar, ajo është annual report, jo raporti i OLAF. Janë 540 investime në të gjithë Shqipërinë për të cilat vlen të shikohet se përse një investim nuk është paguar dhe një tjetër është paguar. Në cilin moment keni bërë kërkesë dhe nuk ju kam kthyer përgjigje. Të gjitha destinacionet që përmenda, kantinat e verës, janë aty. Sa për paraardhësen, në informacionin që kam nuk është këshilltare. Roli dhe përgjegjësia e saj nuk e lidh me ministrinë dhe as këshilltarit. Lërini fjalët boshe. Kemi detyrimin për të ruajtur teknikën dhe njëkohësisht profesionalizmin për të cilin ju trumbetoni si sipërmarrës”, u shpreh ministrja Denaj.
Kurse deputeti Shehaj nënvizoi se këto fonde kanë shkuar për emra të njohur për qeverinë dhe jo për fermerin. ”Emrat që sapo përmenda është tek Website juaj. Unë nuk jam prokuror, jam këtu për të denoncuar, i ka marrë kryetari i Bashkisë së Divjakës. Nga 540 përfituesit, raporti thotë gjysma e ka krijuar biznesin pasi ka nisur fondet e IPARD. Ka individë të lidhur me politikën, ka persona sipas raportit, me rekorde kriminale, që kanë sajuar biznese, ka skema familjare ku disa familjarë vëlla, baba, nënë, kanë marrë të gjithë nga një fond. 18 përfitues që kanë përfituar të paktën 2 herë fonde. këto janë fakte. Unë nuk urdhëroj SPAK”, tha Shehaj