FOTO/ Brandi ndërkombëtar në Borsh, Rama: I shtohet gjerdanit të hotelerisë me 5 yje

Oferta hoteliere e Rivierës së jugut do të pasurohet me një tjetër brand ndërkombëtar të mirënjohur si Radisson Collection, puna për ndërtimin e të cilit ka nisur tashmë. Kryeministri Rama gjatë inspektimeve të ditës së sotme në jug të Shqipërisë, u ndal në Borsh për të parë nga afër ecurinë e këtij kantieri.

“Qëllimi ynë është që ky hotel duhet të rri 8 deri në 10 muaj hapur. Kështu që ne kemi menduar një gjë shumë të veçantë, për të bërë një shkollë hoteleri turizmi, për të nxjerrë master chief, menaxher, shefa recepsioni, shefa shërbimi e të tjerë”, tha përfaqësuesi i brandit Radisson. Me 240 dhoma, nga të cilat 24 do të jenë suita, ky gur i ri në gjerdanin e ofertës turistike joniane pritet ti japë një hov të ri si turizmit, ashtu edhe komplet zonës së Borshit.

“Ne po punojmë pak tani me Bashkimin Europian për të parë mundësinë e një fondi europian që të vendoset për shkollat profesionale të tyre ose për të ndërtuar një shkollë profesionale në vendet e rajonit që merr një mbështetje financiare sepse për ta është e nevojshme edhe nga ana e kundërt, për të pasur profesionist që mund t’i përdorin edhe për tregun e tyre, e para. E dyta, nëse hapen shkolla profesionale të këtij kualiteti, atëherë vijnë dhe kompani të tjera kështu që ata e kanë interes. Gjithë problemi është që nga pikëpamja financiare ata kanë nevojë për një mbështetje sepse iu kushton shumë. Dhe ne duam të bëjmë një fond europian që të ketë edhe mundësi për bashkëpunim me qeverinë shqiptare”, u shpreh kryeministri Rama.

Sipërfaqja e strukturës hoteliere me pesë yje do të ketë në brendi fusha tenisi, teatër për fëmijët si dhe ambiente të tjera rekreative dhe relaksuese për pushuesit. Përveç këtij investimi, në Borsh do të ndërtohet dhe një shëtitore e re e cila do të përshkojë të gjithë vijën bregdetare të tij.

SHKARKO APP