FOTO/ Merr jetë Kampusi i ri te Universiteti Bujqësor i Tiranës, dhoma dyshe dhe me tualete brenda
Viti i ri akademik i gjen studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës me godina të reja studentore. Kryeministri Edi Rama, se bashku me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe nënkryetarin e Bashkisë se Tiranes, Arbjan Mazniku inspektoi sot Kampusin universitar të UBT-së për të parë nga afër ndërtimin e kompleksit rezidencial, ku do të sistemohen studentët dhe njësitë e kërkimit shkencor.
Nënkryetari Mazniku shpjegoi se dy prej godinave janë gati që këtë vit akademik në shërbim të studentëve. “Në pak muaj grupet e para janë gati që të futen që tani. Janë tetë godina. Për momentin zihen dy të parat që janë bërë gati dhe në janar grupi i dytë”, tha ai.
Mazniku bëri të ditur se godinat do të shërbejnë jo vetëm si konvikte, por dhe si mjedise për kërkimin shkencor dhe për start-upe, duke krijuar një lidhje mes studentëve dhe biznesit.
“Siç ka qenë dhe ideja fillestare, një pjesë e objekteve kanë funksion përtej konvikteve. Objekti që është ende në punim ka dhe një hapësirë të hapur që te ketë mundësi të përdoret eventualisht si një qendër e kërkimit shkencor në bashkëpunim dhe me Universitetin Bujqësor. Godinat janë të gjitha të një niveli shumë të mirë dhe të avancuar për të qenë konvikte, të gjitha dhomat janë dyshe dhe me banjo brenda saj . Kjo është godina e kërkimit shkencor. Nga brenda ajo është si një hapësirë e hapur që të kemi mundësi që i gjithë kampusi të marrë një fokus të ndërveprimit mes universitetit, studentëve dhe të kërkimit shkencor dhe të tekno-parqeve për start-upe”, nënvizoi Mazniku.