FOTO/ Moment i bukur, ”Royal Albert Hall” ngrihet në këmbë nga orkestra shqiptare dhe Konstantinos Argiros
33 instrumentistë shqiptarë, nën mbështetjen e Fondacionit Mane, kanë shkëlqyer në skenën prestigjioze Royal Albert Hall në Londër, ndërsa shoqëronin performancën e këngëtarit grek Konstantinos Argiros. Shqipëria arriti t’i fliste një audience të gjerë përmes tingujve muzikorë për një vend që, ndonëse i vogël, gëzon talente të mëdha në këtë fushë arti.
Orkestra simfonike me 33 instrumentistë shqiptarë, e përkrahur nga Fondacioni Mane, u ngjit në një prej skenave më të njohura të botës, në Royal Albert Hall në Londër, së bashku me këngëtarin e njohur Konstantinos Argiros. Harmonia e tyre në skenë u brohorit nga mijëra spektatorë, duke ofruar emocione të papërshkrueshme.
Ishte një koncert për të cilën është punuar shumë, në ditë të gjata provash në Tiranë, e ku mbizotëruan këngë repertori, sikurse këngë ikonike të muzikës greke, të gjitha të interpretuara në një mënyrë profesionale, pavarësisht kompleksitetit apo shkallës së vështirësisë. Në lozhën e Royal Albert Hall, sikurse në hapësirën ku u zhvilluan provat në Tiranë, u vu re prezenca e themeluesit të Fondacionit Mane dhe Presidentit të Grupit BALFIN, Samir Mane.
Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, orkestra simfonike u kujdes të krijonte një atmosferë unike, ku publiku përjetoi dhe shijoi plotësisht çdo pjesë, si ato emocionalet, ashtu edhe ato ritmiket. Edhe pse për muzikantët ishte hera e parë që performonin në Royal Albert Hall, ata kanë mbajtur koncerte të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj, duke promovuar një numër të lartë artistësh e kompozitorësh të talentuar, vendas dhe të huaj, e duke qenë kështu ambasadorët më të mirë të talentit dhe artit shqiptar.
Bashkëpunimi me këngëtarin Konstantinos Argiros për herë të dytë (e para shënohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë), konfirmon gatishmërinë e tyre për të kontribuar në konsolidimin e reputacionit të artistëve dhe për të sjellë si për audiencën e gjerë, edhe për ata me një shije më të hollë muzikore, një përvojë unike dhe të larmishme, nga tingujt klasikë deri tek ato modernë.
Koncerti në sallën dedikuar kujtimit të Princit Albert, ku janë ngjitur dhe kanë interpretuar ikona të muzikës botërore si Frank Sinatra, Elton John, Rihanna apo Adele, është një ngjarje e shënuar që do të mbahet mend gjatë, jo vetëm nga orkestra simfonike e mbështetur nga Fondacioni Mane, por edhe nga këngëtari Konstantinos Argiros. Vetë ai e ka cilësuar koncertin në Royal Albert Hall si një pikë kyçe të karrierës së tij. /Anabel.al/