FOTO/ Nga Baker tek John Kerry, Tiranën e kanë vizituar 5 sekretarë Amerikanë të Shtetit
Pas vitit 1990, Shqipërinë e kanë vizituar 5 sekretarë të shtetit amerikan. I pari James Baker në 22 qershor 1991, vizitoi vendin tonë 52 vite pasi Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike me SHBA-të. U prit në Tiranë në një miting, më të madhin proamerikan në Europë pas Luftës së Ftohtë në një vend i cili ishte pjesë e kampit komunist.
E dyta ka qenë vizita e Madeleine Albright në 18 shkurt 2000. Madeleine Albright vizitoi Shqipërinë në një kohë ku gjurmët e ‘97 ishin ende të freskëta. Gjatë vizitës në Tiranë, Albright shprehu mbështetje jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën e sapodalë nga lufta. Në atë kohë, qeveria e Tiranës drejtohej nga Ilir Meta.
I treti sekretar amerikan i shtetit që vizitoi Shqipërinë ka qenë Colin Powell më 29 prill 2003. Sekretari Poëell zgjodhi Tiranën si vendin ku do të firmoste “Kartën e Adriatikut” ose paradhomën për hyrjen në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Vlerësoi Shqipërinë si aleate në koalicionin kundër Irakut, kur shtrohej diskutimi nëse SHBA duhet të bënte luftë atje apo jo. Në atë kohë qeveria e Tiranës drejtohej nga Fatos Nano.
Hillary Clinton ishte e katërta në radhën e sekretarëve të shtetit amerikan që vizitoi Shqipërinë më 1 nëntor 2012. Ndalesa e saj në Tiranë ishte pjesë e turit mesdhetaro-ballkanik. Nga parlamenti shqiptar, sekretarja amerikane përcolli mesazhin: “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”. Znj. Clinton u takua me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës në atë kohë, Edi Ramën.
I pesti ka qenë John Kerry. Ai vizitoi Shqipërinë më 14 shkurt 2016. Mbërriti në Tiranë kur kryeministër ishte Edi Rama, për të nxitur reformën në drejtësi. “Reforma në Drejtësi është jetike. Shqiptarët duan gjyqtarë e prokurorë që i përmbahen ligjit e jo partisë në pushtet. Vendi po lëviz në drejtimin e duhur”, deklaroi Kerry. Vizita e tij dhe agjenda në Tiranë zgjati 4 orë.