FOTO/ Pallati i Kongreseve “pushtohet” nga gratë socialiste, dhjetëra autobuzë bllokojnë sheshin “Nënë Tereza”
Duke filluar nga dita e sotme dhe deri në fundjavë, për 3 ditë rresht do të zhvillohet Kongresi i Partisë Socialiste. Zgjedhja e strukturave të reja do të jetë fokusi i 3 ditëve për socialistët në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet. Nga ky Kongres do të dalin dhe anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare. Në ditën e dytë të sesionit të punimeve do të votohet dhe për ndryshimin e statutit, e gjithashtu do të bëhet publike dhe agjenda e partisë deri në vitin 2020. Ndërsa në 1 Mars kryefjala e Kongresit do të jenë të rinjtë.
Ndërkaq, këtë pasdite Pallati i Kongreseve është pushtuar nga gratë socialiste, të cilat kanë udhëtuar drejt Tiranë me autobusë të vënë në dispozicion nga partia, gjë që ka shkaktuar dhe bllokimin e qarkullimit të automjeteve në sheshin “Nënë Tereza”.
Foto: Koha Jonë
Punimet e Kongresit
Kongresi i Partisë Socialiste ka nisur me një përballje me të vjetrit e kësaj partie. 8 ish-ministra, apo ish-drejtues përmes një shkrese kanë kërkuar reformimin e Partisë Socialiste.
Pavarësisht kësaj, duke nisur nga sot socialistët do të diskutojnë mbi ndryshimet në statut, agjendën politike, por edhe negociatat e integrimit dhe rindërtimin.
Rindërtimi, Anti-KÇK, integrimi europian dhe rajonal do të jenë çështjet kryesore të cilat do të diskutohen të shtunën në Kongresin Zgjedhor të PS-së.
E shtuna do të ndahet në tre seanca, ku në orën 10:00 do të hapet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së dhe më pas do të jenë ministrat që sipas sektorëve do të raportojnë për punën dhe sfidat e qeverisë.
Kjo seancë publike do të mbyllet me fjalën e Kryeministri, njëkohësisht kryesocialistit Edi Rama. Për 3 orë me radhë socialistët do të përfshihen në një debat mes tyre pa praninë e mediave, për gjendjen e strukturave të PS-së, ndryshimet në statut si dhe prezantimi i agjendës politike të PS-së deri në qershor të 2021, ku vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare. Pastaj në orën 15:00, rreth 1500 delegatë do të zgjedhin 134 emrat e rinj të Asamblesë.
“Asambleja më pas zgjedh Kryesinë dhe vendos piketat për zgjedhjet e ardhshme 2021”, u shpreh Sekretari Organizativ i PS-së, Ervin Bushati.
Edhe pse në tre ditët e Kongresit do t’i jepet prioritet grave dhe të rinjtë, të “vjetrit” socialistë shprehen ende të pakënaqur. 8-ish zyrtarë të selisë rozë, disa prej tyre kundërshtarë të Edi Ramës, i kërkojnë zyrtarisht Kongresit që merret parasysh mocioni me 10 pika për reformimin e PS-së.
Programi i Kongresit të PS për të shtunën
10.00 – Hapja e Kongresit. Seanca e Parë
Fjala e hapjes nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant BALLA
Përshëndetje nga Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei STANISHEV
Raportim mbi drejtimet kryesore të politikave tona legjislative dhe qeverisëse
Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019
Pakti për Universitetin dhe politikat arsimore
Drejtësia dhe sundimi i ligjit
Energjia dhe Infrastruktura
Shqipëria që duam dhe turizmi
E drejta e pronës, mbrojtja e territorit dhe procesi i legalizimeve
Integrimi Europian dhe Rajonal
Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të PS, Edi Rama
12.00 – Seanca e Dytë
Raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve, Kryetari i Komisionit, Shpëtim CAMI
Raport mbi gjendjen e strukturave të PS, Sekretari Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral të PS, Arben Pëllumbi
Programi Politik “Shqipëria që Duam 2030” , Sekretari për Koordinimin e Keshillave të Rajoneve, Ilir BEQAJ
Prezantimi i ndryshimeve dhe përmirësimeve në Statutin e Partisë, Alket Hyseni
Agjenda politike e PS deri në Qershor 2021, Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla
DISKUTIME
15.00 – Seanca e Tretë
Organizimi i procesit të votimit dhe numërimit të votave për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare dhe të Komisionit të Garancive Statutore & Etikës të partisë