FOTO/ PS-PD ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Në 2025 me dy lista kandidatësh, emigrantët postën do ta paguajnë vetë
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pas shumë debatesh kanë rënë dakord për Kodin e ri Zgjedhor. Varianti që palët kanë rënë dakord në negociata për listat është 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur. Argumenti që kanë sjellë për këtë vendim është ruajtja e kuotave gjinore. Për emigrantët thuhet se do të votojnë përmes postës private, dhe këtë duhet ta paguajnë vetë. ”KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Marrëveshja mes PS dhe PD ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme sistemin zgjedhor. Nga sot nuk ka më herës. Por partitë politike do të dorëzojnë dy lista kandidatësh për deputet. Njëra listë do të përmbajë vetëm kandidatët që janë të mbrojtur dhe nuk i nënshtrohen votimit preferencial dhe lista tjetër do të përmbajë kandidatët të cilët do ti nënshtrohen votës së qytetarëve.
Kur të ndahen mandatet, në fillim marrin mandat ata që janë tek lista e mbrojtur ose që bëjnë pjesë tek 1/3 e listës që është e mbyllur. Pjesa tjetër e mandateve ndahet sipas numrit të votave që secili kandidat ka marrë. ”Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve: listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes”,-thuhet në tekstin final të Kodit Zgjedhor.
Ky sistem që pritet të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025, as më shumë e as më pak, forcon rolin e kryetarëve të partive, që siç duket do të blindojnë me të besuarit e tyre, vendet e sigurta për deputet, sipas qarqeve, ndërsa pjesa tjetër e listës, është një “përplasje” brenda llojit, ku krahas votave të partisë, emrat që renditen në 2/3 e listës, duhet të sigurojnë edhe votat e tyre personale.
Shembull-Në Qarkun e Tiranës janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të fiksuar, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në Kuvend 12 deputetë. Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votim “parapëlqyes”, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.