FOTO/ Puna e deputetëve, Kuvendi miratoi 93 ligje në 29 seanca. 190 orë debat

7 muajt e fundit të veprimtarisë parlamentare mbahen mend për dy kompromise politike, atë për rikthimin e normalitetit dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Debati politik që ka karakterizuar seancat plenare të muajve të fundit reflektohen edhe në minutazhin e tyre të cilat kanë zgjatur 19 mijë minuta. Statistikat zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë flasim për 93 ligje që kanë marrë dritën jeshile në 29 seanca plenare, ku pjesa më e madhe i përkasin seancave të fundit parlamentare.

Kohëzgjatja e seancave plenare nuk ka qenë e njëjtë në 7 muajt e veprimtarisë së Kuvendit, gjë që reflektohet edhe në të dhënat e buletinit të Kuvendit. Periudha janar – mars flet për seanca plenare të shkurtra pasi mosbindja civile e deputetëve të opozitës vijonte ende, gjë që u shoqërua edhe me 31 masa disiplinore për përjashtim nga punimet parlamentare. Kompromisi politik i arritur në mes të muajt mars solli edhe normalizimin e veprimtarisë së Kuvendit. Duke krahasuar periudhat janar-mars me prill-korrik, rezulton se parlamentarët kanë folur shumë më gjatë. 835 minuta në tremujorin e parë kundrejt 10600 minuta debate për katër muajt e tjerë. Por çfarë prodhoi ky normalizim?

Ky sesion parlamentar më shumë se për aktet e miratuara kujtohet edhe për kompromisin politik të arritur në momentet e fundit, që mundësuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor në një seancë të posaçme e cila mbylli edhe veprimtarinë e sesionit normal politik. Ndërkaq, deputetët kanë ende dy javë kohë për të relaksuar mendimet e tyre përpara rifillimit të debatit politik brenda sallës së Kuvendit, të hënën e parë të shtatorit.

SHKARKO APP