FOTO/ Rama: Avancojnë punimet në tre lote të rrugës Qukës-Qafë Plloçë
Rruga Qukës-Qafë Plloçë nxit zhvillimin e turizmit në zonën e Pogradecit dhe Korçës, si dhe shkurton ndjeshëm distancën me Tiranën. Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ky kantier, ku aktualisht po punohet në tre lote.
Rama theksoi se në segmentin Qukës-Qafë Plloçë po punohet me ritëm në të 3 lotet e projektit ku në Lotin 2 po bëhet hedhja e shtresave të asfaltit. I gjithë financimi për ndërtimin e tre loteve të rrugës Qukës-Qafë Plloçë arrin në 255.8 milionë dollarë.
Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.
Po ashtu, rruga lehtëson trafikun, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, si dhe shkurton kohën për transportin e mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ndërkohë, puna për ndërtimin e lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025.