FOTO/ Vijon fshirja e historisë, ekskavatorët e Vangjush Dakos shkatërrojnë konakun e Princ Vidit
Kur jemi në 105-vjetorin e formimit të kabinetit të Princ Vidit dhe njëkohësisht i njëjti përvjetor i mbërritjes së tij në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në vend që të organizonte diçka lidhur me këtë ngjarje historike, duke ditur që qyteti bregdetar ishte kryeqyteti i princit gjerman, shkon dhe shkatërron edhe ato pak gjëra që kanë ngelur nga periudha e tij.
Sipas asaj që përcjell Rerportr, al, mjetet e rënda u rishfaqën gjatë fundjavës duke gërrmuar dhe shkatërruar një pjesë të mureve të bastionit fortifikues të shek. XVII dhe ngrehinës së periudhës osmane, që u ripërdor më shumë se një shekull më parë si konaku i Princ Vidit – i cili për 6 muaj në vitin 1914 u ngrit në fron si mbret i shqiptarëve.
Thyerja e mureve të bastionit nxori në dritë objekte të reja arkeologjike, si kapitele, një bazament altari dhe objekte monumentale prej mermeri, një pjesë e të cilave datojnë sipas arkeologëve që në periudhën romake.
Rifillimi i punimeve për të ashtuquajturin projekti ‘Veliera’, një vepër betoni në hyrje të qytetit bregdetar, i shtrirë mbi një zonë arkeologjike të kategorisë “A” me shtresëzime që shkojnë deri në antikitetin e vonë, erdhi pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit.
Sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe rregullores së administrimit të zonës arkeologjike A dhe B, punimet që kryhen në qytetin e Durrësit duhen monitoruar nga arkeologët, nëpërmjet një marrëveshje trepalëshe që lidhet midis investitorit, kompanisë zbatuese të punimeve dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Projekti ‘Veliera’ është një investim i bashkisë së Durrësit, i mbështetur nga qeveria shqiptare, për të ndërtuar një shesh të ri përballë kullës veneciane dhe hyrjes së portit të Durrësit, me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë dhe një kosto prej më shumë se 4 milionë euro.
E projektuar nga arkitekti italian Marco Casamonti, projekti përfshin ndërtimin e një mbikalimi këmbësorësh prej betoni që lidh sheshin përpara hyrjes së portit me rrugën ‘Tregtare’. Sheshi i përftuar nga mbikalimi prej 12 mijë metrash katrorë do të mbulohet nga një tendë e madhe guri me sipërfaqe 60 me 40 metra, e mbështetur mbi katër pika dhe sipërfaqe 2 mijë metra katrorë.
Gërmimet për zbatimin e projektit nxorrën në dritë objekte arkeologjike që datojnë që nga periudha qytetare ilire dhe gjurmët e një bastioni osman, ku më vonë u ngrit konaku i Princ Vidit. Dy muaj pas nisjes së projektit në fillim të vitit 2017, Bashkia e Durrësit nënshkroi një kontratë për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, ndërkohë që shumica e punimeve nëntokësore kishin përfunduar.
Ditë më parë u raportua edhe shkatërrimi i mureve të Pallatit Mbretëror shqiptar, që tregojnë se për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, historia është diçka që mund të fshihet me një të rënë të lapsit, ndërkohë që në vende të tjera, historia, trashëgimia kulturore dhe arkeologjia janë të shenjta.
Më 7 mars 1914, princi Vilhelm Vid arriti në Durrës dhe atë e njohën si princ të Shqipërisë të gjithë Fuqitë e Mëdha përfshirë edhe shtetet ballkanike.
Ai më 17 mars 1914, formoi Qeverinë e re shqiptare nën kryesinë e Turhan pashë Përmetit, një diplomat me përvojë. Kryeqytet i Shqipërisë u caktua Durrësi.
Sipas nenit 1 të tij Shqipëria shpallej “Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme” nën garancinë e Fuqive të Mëdha dhe ai ishte në krye të administratës për caktimin e këshillit të ministrave. /syri.net
KOHA JONË SONDAZH

