FOTO/ Zv/kryeministrja Balluku: Shpiragu, impakt të konsiderueshëm në ekonominë kombëtare
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi sot zonën naftëmbajtëse të Shpiragut një pasuri të madhe të nëntokës shqiptare. Në një postim në rrjetet sociale, Balluku tha se kjo zonë do të ketë një impakt të konsiderueshëm në ekonominë kombëtare.
“Çfarë dite e jashtëzakonshme sot, me Kryeministrin Edi Rama në pusin numër 5 Shpirag, ku kompania SHELL po vijon punën eksploruese me synimin që në fund të këtij viti të mund të kemi edhe rezultatet e testit përfundimtar teknik”, u shpreh Balluku.
Kurse kryeministri Edi Rama tha gjatë inspektimit se “po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë”.