Fotoalbumi i vizitës historike së presidentit Macron në Tiranë, Rama: I mrekulluar me mikpritjen shqiptare
Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mbrëmje, fotoalbumin e vizitës zyrtare dhe historike në Shqipëri të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Kjo pasi Macron është i pari president që zbriti në Shqipëri pas 101 vjetësh marrëdhënie diplomatike.
Rama thekson edhe se Macron i ngjiti shkallët e avionit drejt Francës i mrekulluar me mikpritjen shqiptare, i mbresuar nga shqiptarët që takoi dhe i vendosur për ta thelluar këtë marrëdhënie, e cila siç ai u shpreh, i shërben ribashkimit të Europës.
”FotoALBUMI i vizitës zyrtare të Presidentit Macron, i pari kryetar i shtetit francez që zbriti në Shqipëri pas 101 vjetësh marrëdhënie diplomatike dhe i ngjiti shkallët e avionit drejt Francës i mrekulluar me mikpritjen shqiptare, i mbresuar nga shqiptarët që takoi dhe i vendosur për ta thelluar këtë marrëdhënie, e cila siç ai u shpreh, i shërben ribashkimit té Europës”,-shkruan Rama.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Macron i dorëzoi fillimisht shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”. Më pas në Pallatin e Brigadave u shtrua një darkë zyrtare e mbajtur me miqtë e Francës, në nderim të Presidentit francez Emmanuel Macron.
Macron u takua edhe me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Më pas në Kryeministri u nënshkruan disa marrëveshje mes vendit tonë dhe Francës. Presidenti Macron dhe kryeministri Rama dhanë edhe një konferencë të përbashkët për mediet. Ndërsa më pas morën pjesë në ceremoninë hapjes së vilës së ish-diktatorit për artin dhe shndërrimin në një rezidencë artistësh, në një bashkëpunim me fondacionin francez “Art Explora”.