Franca kthen 50 azilkërkues shqiptarë
Gjatë 24 orëve të fundit janë riatdhesuar në aeroportin ”Nënë Tereza”, rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkelur rregullat e lëvizjes në zonën ”Shengen” apo u është refuzuar kërkesa për azil në Francë.
Operacionet e riatdhesimit janë organizuar në koordinim mes dy vendeve. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda deklaron se qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së, për shkak se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt.
”Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me Ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt. Kështu që udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë por është një hap i gabuar, është një hap që kushton dhe jo vetëm shpenzon por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së”,-ka theksuar Voda.
KOHA JONË SONDAZH

