
Protesta e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, ku qytetarë dhe studentë dolën në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka marrë vëmendjen e mediave të huaja. Këtë herë, është media franceze France 24 që i ka kushtuar një artikull situatës në Shqipëri, duke pasqyruar zhvillimet e tubimit opozitar dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Në raportimin e saj, media franceze shkruan se në kryeqytetin shqiptar kanë shpërthyer protesta të reja kundër qeverisë, me kërkesën kryesore për largimin e Edi Ramës nga drejtimi i vendit.
Sipas France 24, lëvizja protestuese nuk ka një organizim apo udhëheqës të vetëm. Tubimet nisën që në muajin maj, fillimisht në mënyrë paqësore, të nxitura nga akuzat për korrupsion dhe kundërshtimi ndaj ndërtimit të një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore.
Media vë në dukje se prej mesit të tetorit protestat janë intensifikuar, duke u shndërruar në një seri tubimesh, disa prej të cilave janë shoqëruar me përplasje. Pakënaqësitë e qytetarëve lidhen jo vetëm me qeverisjen, por edhe me gjendjen e sistemit shëndetësor dhe mungesën e mundësive për të rinjtë.
Duke përshkruar protestën e kësaj të shtune, France 24 raporton se grumbullimi nisi në mënyrë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit, pavarësisht reshjeve të shiut. Situata më pas u tensionua, pasi dhjetëra të rinj hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të policisë, ndërsa u raportua edhe për djegien e kazanëve të mbeturinave. Për shpërndarjen e turmës, policia përdori autobotin me ujë.
Në fokus të artikullit janë edhe masat e paralajmëruara nga autoritetet shqiptare. France 24 shkruan se qeveria njoftoi të mërkurën për ashpërsimin e sanksioneve ndaj personave të përfshirë në akte dhune gjatë protestave, me gjoba që mund të shkojnë deri në 5,500 euro.
