Frontex në kufirin shqiptar, në 3 muaj janë kapur 1300 azilantë

Misioni ndërkombëtar i kontrollit të kufirit, Frontex bëri publike disa prej rezultateve të punës disa mujore të efektivëve nga disa vende përgjatë vijës së kufirit të gjelbërt në Kakavijë. Eduart Merkaj, Drejtor për Kufirin dhe Migracionin, tha se që prej 22 majit janë ndaluar dhe përpunuar sipas rastit 1300 shtetas të huaj që synonin të kalonin tranzit përmes Shqipërisë. Një pjesë e tyre kanë aplikuar për azil, shumë janë deportuar ndërsa gjatë kësaj periudhe u ndaluan edhe 27 shtetas të shpallur në kërkim.

”Disa nga këta janë përsëritës, janë shtetas që janë kapur disa herë në Republikën e Shqipërisë. I identifikojmë me anë të gjurmëve të gishtave kur kapen për herë të dytë dhe të tretë. Ata mundohen të gjejnë rrugë kalimi të ndryshme, nuk mund të themi që i kapim të njëjtët shtetas në të njëjtën pikë kalimi kufitar”.

21 efektivë të Frontex janë stacionuar në pikat kufitare. Të dy drejtuesit vlerësuan ecurinë e deritanishme të goditjes së emigrimit të paligjshëm, ndërsa shtuan edhe rastet e kapura të personave në kërkim. ”Janë kapur rreth 27 persona në kërkim në pikën e kalimit kufitar këtu në Kakavijë. Janë referuar në prokurori mbi 30 raste të shtetasve shqiptarë apo të huaj, të cilët kanë kryer vepra të kundraligjshme”.

Martin Vodrasa, zv/drejtor i Përgjithshem i Policisë Çeke për Kufirin, tha se Çekia merr pjesë me 13 efektivë në këtë mision i pari i vendit të tij në një territor kufitar jashtë BE. Ai e cilësoi misionin të suksesshëm dhe të rëndësishëm për sigurinë europiane. ”Gjendem këtu në krye të një ekipi çek dhe mund të them se ishte një eksperiencë e suskesshme. Shërbimi që ne ofrojmë këtu është një shërbim për sigurinë e Europës”, thotë Martin Vodrasa.

Ndërsa zv/drejtoresha e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, tha se rezultatet janë shpresëdhënëse dhe strategjia e sigurisë po ofron kontroll më të lartë për trafiqet e paligjshme. ”Operacioni i Frontex provoi se këto misione janë të nevojshme. Shqipëria nuk është një kufi i brishtë për në Europë por një drejtim i synuar prej emigrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve. Bashkëpunimi dhe rezultatet ishin shumë të mira”, shprehet Andrea Storchova.

Ky ishte i pari mision i Frontex në Shqipëri. Më parë forca policore nga 9 vende kanë patrulluar për muaj me radhë në 2 misione të ndryshme kufirin jugor me Greqinë. Disa herë është dhënë alarmi për grumbullimin e emigrantëve në Shqipëri dhe ngritjen e kampeve në vendin tonë, por ekspertët e Bashkimit Europian kanë përjashtuar këtë mundësi, duke u mjaftuar vetëm me instalimin e oficerëve të Frontex. Që prej 1 qershorit pika kufitare e Kakavijë ka një fluks të shtuar. 450 mijë shtetas janë përpunuar, 150 mijë prej të cilëve janë të huaj që kanë hyrë në vendin tonë.

SHKARKO APP