Frrok Çupi: Mes Brozit e Dragoshit rri ujku
Botuar me 7 Janar 1995 në KOHA JONE)
Nga Frrok Çupi-
Që të dy kundërshtarët, viganë të drejtësisë shqiptare, rrinë ballë për ballë për jetë a vdekje, dhe që të dy sulmojnë ose mbrohen njëkohësisht me mjete ligjore, me ligjet e shtetit. Duket paradoks, por është një e vërtetë. Njëri ja kërkon vdekjen tjetrit në bazë të ligjit, dhe tjetri i jep vetes jetë të lumtur po në bazë të ligjit. Në të njëjtin shtet, në të njëjtin shekull dhe në të njëjtin minutë. Aspak paradoks, por krejt e vërtetë. Shikojeni paraprakisht se çfarë po ndodh.
Dragoshi ka të drejtë.
Dragoshi është mbiemri i Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit.
Ky e akuzon zotin Brozi, që është Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të po këtij shteti për shkelje të Kodit Penal në nenin 106, ku parashikohet krimi i shpërdorimit të detyrës. Fakti që përdor zoti Dragoshi është një firmë e lëshuar nga zoti Brozi, firmë e cila liron nga burgu një qytetar të burgosur. Vetëm neni 106 të tmerron dhe të bën të mendosh se Dragoshi ka të drejtë. Nuk thotë zoti Dragoshi asgjë më shumë se sa neni 106. Por as neni 106 nuk thotë gjë nëse përdoret ndaj Kryetarit të Gjykatës më të lartë apo ndaj një bariu. Ky nen është “i verbër dhe budalla” për të parë gjëra të tjera. Prandaj në bazë të këtij kodi, të miratuar që në kohën kur Kryetari i Gjykatës së Lartë ishte i burgosuri i sotëm Aranit Çela, zoti Dragoshi ka të drejtë.
Brozi ka të drejtë.
Në përgjigjen që kthen ndaj kërcënimit burgosës, me nenin 106, të Prokurorit të Përgjithshëm, zoti Brozi thotë se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin mbi liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve, ligj i cili është miratuar një vit më parë në Parlamentin Shqiptar përmes propagandës dhe duartrokitjeve shumë të zjarrta. Ky ligj, sikurse thotë z. Brozi, nuk e lejon as Prokurorin, as policin dhe as Gjykatën që të burgosë qytetarin pa pasur të vërtetuar plotësisht fajësinë e tij. Aq më shumë nuk mund të mbahet tjetri në burg në rastin kur me këtë mund të jetë punuar një rreng nga dikush, aq më keq kur ky dikush është përfaqësues i shtetit. Kështu ka vepruar zoti Brozi, i cili për herë të parë përdor mekanizmin e ligjit demokratik mbi liritë dhe të drejtat themelore. Kur e dëgjon këtë, edhe në këtë rast thua se z. Brozi ka plotësisht të drejtë.
Kur të dy kanë të drejtë, pse njëri ndihet më i fortë se tjetri?
Praktikisht Dragoshi ndjehet më i fortë se sa Brozi, megjithëse mjeti i drejtësisë së tij tani në demokraci, është i kohës së diktaturës. Më i fortë, si? Të paktën kur shkon në shtëpi Dragoshi, as fqinji dhe as fëmija nuk e shohin me syrin se mund ta burgosin. Ndërsa Brozi nuk është i sigurt, me siguri që ai fle si në alarm. Ose të paktën Dragoshi është i pari që tregohet në televizion, ndërsa Brozi i dyti. Ose Dragoshi ndihet më i fortë edhe po qe se akuza e tij bie poshtë. Ndërsa në qoftë se mbrojtja e Brozit rrëzohet, atëherë edhe Brozi do të ketë po këtë fat. Pra e shikoni se si dy njerëz që kanë të drejtë në bazë të ligjit shqiptar, njëri është i fortë e tjetri i dobët. Pse ndodh kjo? Praktikisht ndodh sepse Dragoshi dhe kushdo e di se z. Brozi kohët e fundit ka marrë mbi vete një inat apo mallkim të vetë Presidentit Berisha. Brozi është shprehur se Presidenti nuk po e pret që prej një kohe të gjatë. Për këtë arsye njëri ndihet keq dhe tjetri ndihet mirë, megjithëse sipas ligjit të dy paskan të drejtë. Për sa kohë që në shtet të sundojë njëshi, njerëzit kot që besojnë dhe shpresojnë në drejtësinë e ligjit. Ja lajthiti njëshi, dhe të tërë duhet të kërkojnë bunkerët të fusin kokën! – Këtë do të thotë kjo.
Kur të dy kanë të drejtë, pse njëri ndjehet më i ndershëm?
Në rastin konkret më i ndershmi ndihen z. Dragoshi, mesa e kuptojmë. Sepse ai është plotësisht me logjikën e kohës, ju bindet shefave, nuk ka biografi ku mund të kapen kundërshtarët, nuk e ka prishur kurrë me ndonjë njeri e aq më pak me padrejtësinë. Gjatë kohës së diktaturës ka jetuar si i padukshëm dhe si djalë i mirë megjithëse me një biografi jo dhe aq të mirë. Kështu që është i ndershëm. Po z. Brozi pse ka njolla? Njolla e parë është se ka një biografi që lidhet me pushtetin e demokratikasve: ai ka qenë pjesëmarrës i atyre universitarëve që i kërkuan pluralizmin politik Presidentit Alia në Dhjetor 90. Por sot Dragoshi ose dikush tjetër fare mirë mund t’i thotë: “Ik, more se karrierist ishe, prandaj e bëre!”. Sikurse ju është thënë themeluesve të pluralizmit politik nga vetë kreu i shtetit aktual. Veç kësaj z. Brozi ka guxuar dhe e ka quajtur fushatën presidenciale për Kushtetutën një fushatë politike. Veç kësaj z. Brozi ka deklaruar se do të luftojë kundër mafias shtetërore e korrupsionit. Asgjë nga këto nuk përputhet me ideologjinë shtetërore aktuale. Pra sa kohë që shteti është shtet ideologjik, ligji dhe drejtësia nuk pinë ujë; gjatë gjithë kësaj kohe të gjithë individët janë nën rrezikun e ndëshkimit.
Rezyme e shkurtër:
Sikurse shihet, mes fajësisë dhe pafajësisë, mes ligjit dhe jo ligjit, mes shtetit dhe jo shtetit, rri një gjë e padukshme, rri një gjë e egër, rri një gjë që herë fle e herë të shqyen, që askush nuk e di kur e ka herën për gjumë e herën për kafshim. Ky është si një ujk. Lutet njeriu i shkretë që mos zgjojë egërsirën. Kështu ndodh sa kohë që nuk ke shtet, që nuk ke shtet të ligjit. Prandaj edhe Brozi me Dragoshin rrinë ballë për ballë as gjallë as vdekur.
Frrok Çupi