Frrok Çupi: PS rri nën pemë e mban thesin

(Botuar me 10 Prill 1994 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi-

Besoj se nuk ka nevojë për të shpjeguar hollësisht nënkuptimin e fjalëve të titullit, mbasi është i thjeshtë. I thjeshtë sepse vjen nga një shprehje popullore dhe së dyti sepse kushdo e shikon këtë fenomen që po ndodh sot në Partinë Socialiste.
Por pyetja shtrohet shumë konkrete: ç’fruta kanë rënë deri tani në thesin që mban Partia Socialiste?
Gjithnjë duke iu referuar deklaratave të vetë “pronarit të thesit”pra të PS dhe duke ju referuar vrojtimeve të përditshme në tërë atmosferën shoqërore që na rrethon, mund të përmendim ndonjë nga këto fruta. P.sh. siç dihet aty kanë rënë dëshmitë dhe firmat e 700 mijë njerëzve të Shqipërisë që kërkojnë lirimin nga burgu të liderit kryesor socialist Fatos Nano. Nuk është “gjah” i vogël. Po të ndodhë që këto 700 mijë firma të bëhen vota, atëherë PS duhet të nisë të blejë abazhurë të rinj për zyrën e Kryeministrit. Po çfarë tjetër ka ai thes? Ka vullnetet e dhjetëra dhe qindra simpatizantë dhe anëtarëve të lidershipit, të cilët në ditët e arrestimit dhe gjykimit të z.Nano, janë ndaluar ose edhe dënuar me burgim. Është interesante se në këtë thes janë mbledhur edhe shumë nga polet e kundërta. Komunistët e vjetër që u pakënaqën në fillim me PS, e cila ndërroi emër, por që tani janë afruar përsëri për shkak simpatie dhe për shkak “çadre”. Por bashkë me ta rrinë sot edhe disa nga demokratët e parë, madje edhe nga ata që kishin marrë pjesë në grevat e lëvizjet për rrëzimin e Qeverisë Nano. Edhe këta janë një pasuri për PS. Pasuri e saj tani konsiderohen edhe sa e sa deklarata e rezoluta të institucioneve dhe qeverive evropiane në mbështetje të PSSH. Shto këtu, sa e sa njerëz të asistuar apo edhe të dalë nga asistenca, sa e sa mësues që u është prishur shkolla, sa e sa policë që nuk duan të qëllojnë mbi njeriun tjetër… Të gjitha këto i ka kapital sot në “thesin”e vet Partia Socialiste. Paçka se PS, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka mbajtur e ende mban thesin nën pemë. Frutat i shkundin të tjerët.

Kush i shkund frutat nga pema?
Kjo pyetje nuk shtrohet për PS, sepse ajo i njeh dhe i sheh përditë punëtorët e saj që u bien degëve të pemës së madhe për të rënë frutat në thesin e kësaj. Po ndoshta nuk e dinë mirë ata që vetë shkundin pemën. Kam një opinion që ata vërtet dinë pak, ose të paktën më pak se PS,se çfarë po bëjnë ata vetë. Megjithatë, unë i dalloj disa prej këtyre punëtorëve të PS.

Punëtori i parë është vetë Partia Demokratike
Pushteti që doli dy vjet më parë nga PD totalisht, bëri oponencën më të suksesshme në trupin e PS, i cili kishte mjaft sëmundje të trashëguara edhe nga e kaluara. Vetëm një mjek i talentuar dhe i pamëshirshëm mund ta bënte një operacion të tillë në një trup: PD akuzoi dhe arrestoi kryetarin e PS, deputetin dhe ish-Kryeministrin Fatos Nano. Këtu filloi të shërohej trupi i PS. Sepse la mënjanë e harroi kushdo çdo plagë e sëmundje të vjetër që rënkonte ende dhe ju drejtua plagës së operacionit: “E shikoni kush jemi ne? Ne jemi Fatos Nano, ne jemi ekonomisti me koncepte moderne, ne jemi njerëzit e kësaj moshe që flasim tre a katër gjuhë të huaja”. Dhe fundi: “Ne jemi ata që na investiguat 6 muaj në burg, kërkuat e nga nuk kërkuat fakte, ndryshuat akuzë, bëtë gjyq, e megjithatë, askush nuk u bind se kryetari ynë ka faj”. Pra tani PS është martirizmi dhe vizioni i liderit të saj. Të tëra të tjerat janë harruar. Njësoj sikur shtëpisë, në çastin kur po vijnë miqtë, dikush papritur t’i japë një veshje përrallore. Por këtë të mirë e bëri Partia Demokratike. PS vetëm se qëndroi nën pemë dhe mbante thesin hapur. Fruti ra aty. E sa frute të tjerë ka hedhur PD… Ka hedhur të papunët, të paasistuarit e të asistuarit, ka hedhur çmimet e larta dhe rritjen e çmimeve në mënyrë pak të papritur, qindra akte të korrupsionit që janë shpallur e “janë harruar”, por që nuk harrohen kurrë, sepse thesi nën pemë funksionon. Punëtorët demokratikë kanë shkundur nga pema ca fruta të hidhët, që quhen paaftësi e administratës shtetërore, anadollakllëk, i mjaft nëpunësve, injorancë e disa të tjerëve që janë vetëm besnikë partie por kanë zënë kushedi sa karrige. Kur bien në thesin e PS këto fruta nuk janë më të hidhët për të, por e kundërta. Dhe vazhdon përditë puna: punëtorët shkundin fruta.

Punëtori i dytë është vetë Fatos Nano
Fatos Nano është punëtori më i lodhur por me sa duket është i vetmi punëtor që e di se çfarë po bën. Ai rri në burg, djeg gjithë ditën e gjithë natën në errësirën e qelisë energjitë e shpirtit të vet me qëllim që nesër para publikut të shfaqet me një fytyrë optimiste, me një pamje krenare e burrërore, me një vështrim të tejpërtejshëm. Ai rri para publikut si një vëzhgues i pasionuar në një stacion të madh ku sheh se si kalojnë trenat. Kam dëgjuar se ka pasur socialistë që ditën e diel të dënimit të Nanos kanë ndërprerë edhe ceremoni festive familjare. Edhe ky lloj fruti i duhet PS në thes, sepse është sentiment në këtë kohë kur sentimenti është një prej gjërave që është bërë baltë. Pastaj shkojnë e vijnë delegacione të huaja tek Fatos Nano në burg. Disa lejohen, disa jo. Por kjo nuk ka rëndësi, sepse Fatosi ka ditur që për secilin nga delegacionet, të marrë atë që i duhet: një frut për PS. Pastaj bëhen ftesa nga Evropa për delegacione të PS për të njohur nga afër çështjen Nano. Tjetër frut ky… dhe Fatosi rri në burg stoikisht. Kryesia e PS, sikurse keni dëgjuar, deklaron se janë në solidaritet me kryetarin Nano. Secili diç ndjen kur dëgjon këtë frazë. Mirëpo ajo është e thjeshtë: është njësoj si t’i thuash punëtorit tënd në pemë se solidarizohemi me ty që më hedh fruta kaq të ëmbla.

Punëtori i tretë janë më të pakënaqurit me sistemin komunist
Ata janë kryesisht ish të burgosurit e asaj periudhe dhe ballistët. Që të dy palët qenë vënë nën një presion të llahtarshëm të diktaturës komuniste. Nuk kishte përse ndiqej e persekutohej edhe nipi, edhe kushëriri i shtatë i ballistit. As ballisti vetë s’kishte pse persekutohej e ndiqej po të mos kishte bërë krim. E kështu me radhë. Ndjekja e këtyre njerëzve, e kësaj kategorie i dha një tension tërë shoqërisë atëherë. Mirëpo çfarë po bëjnë të ndjekurit e djeshëm? Në përgjithësi po zbatojnë leksionet që kanë marrë nga PPSH. Flasin me gjuhë të egër klasore, bëjnë hetime ekstreme, nuk e pranojnë paqen sociale edhe për një brez tjetër, kërkojnë të gjitha pozitat kyçe në shoqëri e shtet. Egër! Nuk e dinë disa se as toka, as pema, as pallati, as zyra në pllaka e mure, as lumi, as pisha, as deti, as xhami, nuk kanë e nuk mund të kenë komunizëm në veten e tyre. Mirëpo duke u sjellë kështu ata do të thotë se kanë hipur në pemën e madhe e shkundin fruta për PS. Sepse PS e di shumë mirë se njerëzit para së gjithash duan cilësinë njerëzore që është qetësia, marrëveshja. Dhe PS ka në thes një ilaç të hedhur nga pema. Tensionin që ka marrë shoqëria sot nga forcat ekstremiste. Si e përdor këtë sot PS? Shumë, shumë rrallë. Mirëpo e ruan për çastin kur ilaçi do të ketë efektin më të mirë. Atëherë do të thotë para popullit: “e doni inatin e urrejtjen me njëri tjetrin, jo ja p.sh. si këtë gjendje që kam unë këtu në thes?”- Jo, nuk e duam. “Epo atëherë unë siguroj qetësi, votoni për mua”. Dhe ndërkohë duhet tu shpreh falënderime Ballit e të dënuarve të djeshëm.

A po bëhet dembele PS duke mbajtur thesin?
Çajër e çedër janë bashkë, – thotë populli. Konforti që i ka krijuar PS kjo situatë kur drejton PD, është një shans vërtet i admirueshëm. Mirëpo a do të vijë çasti kur PS duhet të lëshojë grykën e thesit? Sigurisht do të vijë. Por atëherë do të paraqiten dy rreziqe. Rreziku i parë që PS të ndërrojë rolin me punëtorët e saj, domethënë, kjo të ngjitet në pemë për të shkundur frutet për ta. Dhe rreziku i dytë është që PS të dembeloset aq keq sa të mos dijë çfarë të bëjë mbasi të ketë mbushur thesin. Kjo çështje shtrohet për të. Ndonëse mund të jem i shpejtuar në këtë të dytën. Sepse mbase PS ka bërë gati platforma politike e ekonomike, ka bërë gati një ose dy qeveri, në hije, ka bërë gati taktikën e fushatës elektorale e kolaborimin etj. Kush i di këto! Ajo çfarë fshihet sot është vetëm një pemë e madhe dhe një thes nën të.
Frrok Çupi

SHKARKO APP