Frrok Çupi: Shteti ynë, ra shumë shpejt në betejë me shtypin e lirë
Nga Frrok Çupi-
(botuar me 30 janar 1994)
Pardje, në orën 10:20, pikërisht kur po shkoja në punë, në front të godinës së vogël të redaksisë së Gazetës “Koha Jonë”, gjeta dy makina të ngarkuara plot me policë. Njëra ishte veturë, ndërsa tjetra ishte një mikrobus i zi plot me policë. Kërkonin njërin nga kolegët tanë, gazetarin Martin Leka. Donin ta merrnin me vete… Ku jemi vallë? Kur jemi? Çfarë po ndodh kështu, mu përpara syve tanë?
Shteti e paska marrë seriozisht duelin
Fjalën e gjetur “duel” mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe gazetës indipendente “Koha Jonë”, e dëgjova një natë më parë në komentin e Radios londineze BBC. Mirëpo mendova se këtë formulim e kishte dëgjuar edhe shteti. Dhe një shtet serioz, me siguri do të ishte ndalur menjëherë sapo ta konstatonte se i tëri ky shtet ndodhej në duel me një redaksi të vogël gazete. Mendova se vërtet të nesërmen shteti do të vinte në redaksi me një flamur paqeje në dorë, e do të thoshte: “Nuk sulmohet shtypi e gazetari indipendent nga shteti. Prandaj kërkojmë ndjesë”. Mirëpo shteti e kishte marrë atë fjalë si një shenjë trimërie, si një shenjë gare dhe supremacie kundër gazetës, me sa duket. Shteti, në një kuptim alegorik, e paska konsideruar veten në fushën e gladiatorëve ballë për ballë me gazetën “Koha Jonë”. Mirëpo këtu fillon keqardhja për shtetin. Sepse shteti është i fuqishëm derisa ka mekanizmat e njohur, por deri në çastin kur këto makina i përdor kundër individit, kundër mënyrave dhe mjeteve legale që ka lejuar vetë shteti. Shteti është fitimtar në fushën e gladiatorëve, deri në çastin kur spektatorët presin biletat që të vijnë në ndeshjen mes shtetit e individit. Aq më tepër në qoftë se shteti del ballë për ballë me një gazetë indipendente, me një tribunë mendimi të lirë. Deri këtu shteti është i fuqishëm. Por pikërisht me këtë çast, spektatorët nisën që të shohin jo ndeshjen, por humbjen e shtetit. Për këtë të vjen keq. Shteti ynë, një shtet i ri e i vetëdeklaruar demokratik, ra shumë shpejt në betejën me shtypin e lirë, me një përfaqësuese dinjitoze të tij, sikurse është “Koha Jonë”. Këtu padyshim shteti ra në humbje.
Kaq shumë policë për të marrë një gazetar?
Nuk kisha parë në jetën time një operacion kaq të madh policie, se sa ajo armatë e tërë në ora 10:20, pardje. Dhe për çfarë, për të marrë një gazetar? Nisa e mendova: vallë kaq shumë policë i paskan ndjekur kriminelët në çastin kur vranë Gjovalin Cekinin në Shkodër? Vallë kaq shumë policë janë duke i ndjekur në këtë çast ata kriminelë? Vallë kaq shumë policë janë duke e kontrolluar dhe stabilizuar gjendjen në zonën e Malësisë ku ka mbi 100 familje të ngujuara? Vallë kaq shumë policë sa erdhën në gazetën “Koha Jonë” do të jenë në operacionet kundër thyerjes së embargos në kufirin Verior në Shkodër? Vallë kaq shumë policë janë duke ndjekur grabitës, hajdutë, vrasës etj. që janë duke prishur rendin e paqen e njerëzve nëpër të gjithë vendin, e për të cilat është duke shkruar edhe shtypi i pavarur? Në qoftë se janë kaq shumë policë në operacione kundër krimit, atëherë kjo do të thotë se paqja e siguria është mes nesh. Kjo varet nga ju të dashur lexues, nëse i shikoni e ndjeni këto. Megjithëse sa shumë policë ushqyeka populli ynë, përderisa paska dy makina me policë, për të marrë një gazetar të një gazete të lirë. Ose ndoshta më të shumtët janë kundër gazetës. Megjithatë le të ketë edhe 1 milion policë në shtet. Pse kaq shumë për të marrë një gazetar nga një gazetë indipendente? Këtu është çështja. A mos vallë gazeta përsëri quhet një armë, si më parë në kohën e komunizmit? Në rast se sot policia vjen për të arrestuar një gazetar të lirë, atëherë kjo do të thotë se unë, Preçi, Gramozi, Saliu, Neritani, Teodori, Vera, Arbri, Azemi dhe studentët e tjerë, Blendi, Armandi, Beni, duhej të ishim pushkatuar që më Janar 1991. Kjo do të thotë në thelb.
Cilin kërkojnë, Martin Lekën? E njohin këta Martinin?
Nuk besoj se të gjithë këta njerëz që kanë mbushur makinat e policisë e njohin gazetarin Martin Leka. Në qoftë se do të dalin prej redaksisë dhe do ta gjejnë në një kafe të Tiranës, vallë do ta njohin? Ua them unë çfarë shenjash ka. Do të jetë me siguri duke pirë kafe me ndonjë koleg. E do shumë profesionin e tij dhe përpiqet të mësojë nga kushdo. E keni të veshur gjithmonë pastër e me kujdes. Ai që rri me një fytyrë të qetë e vështrim shumë të butë mes të tjerëve. Ja ai është Martini.
Ndoshta e takoni diku gjetkë. P.sh. Martini është nga ata gazetarë që i shkon një ngjarje gjer në fund. E sheh njeriun me dhimbje të madhe. Veçanërisht i pëlqen objekti publicistikë që lidhet me këtë. Prandaj e gjeni edhe në fshat, edhe me njeri që kërkon spital, dhe me një njeri krejt të uritur, edhe me një që ia kanë vrarë djalin vetëm një javë më parë. Ka një mënyrë Martini që rri shumë natyrshëm me njeriun.Veçanërisht Martini ka shumë dëshirë dhe vullnet që të rrijë e të bisedojë me njerëzit e shquar, me figura të mirënjohura të kombit shqiptar. Ka shkuar e ka takuar prof. Rexhep Qosen në Kosovë. Ka shkuar e ka takuar Anton Çetën, Adem Demaçin, atje në Kosovë. Këtu në Tiranë rri me Dritëro Agollin, me shkrimtarë të tjerë e figura të njohura shoqërore. Gjithnjë ka fytyrën e nxënësit para tjetrit. Po ta shikoni, ky është.
Ju them unë se si vishet e se si është Martini. Përgjithësisht i kombinon shumë mirë ngjyrat në veshje. Më shumë mban një pardesy të zezë. Martini është një djalë shëndetdobët. Bën një jetë bohemi, sepse shtëpi nuk ka pasionin për punën e ka shumë të lartë. Nuk i vë re gjërat e vogla, veçanërisht kur këto janë negative. Shikoni të nderuar policë, t’ju bëj edhe një përshkrim të fytyrës së tij: është thuajse e bardhë në cep të syrit të majtë ka gjurmën e një plage shumë të rëndë e të re. Verën e kaluar, duke shkuar për të punuar për një shkrim, është përplasur me motor në rrugë dhe gati ka gjetur vdekjen. Pas pesë minutash ka shkuar aty Aleksandër Frangaj dhe e ka gjetur të larë në gjak. Mendoi se nuk ishte më shoku i tij dhe iu sul vdekjes. Ku ishte. Motori i shkatërruar ishte në rrugë. Aleksandri gjeti forca e ngriti motorin për ta hedhur në lumë. Në atë çast Martini vuri buzën në gaz… jetonte. Sa jeton, Martini qesh. Ja pra, ky është Martini, të ndershëm policë, prandaj nuk ka nevojë për shumë makina. Ai hip edhe në motor.
Përsëri pyesim: ku ndodhemi?
Ja ku jemi, këtu. Në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Është një shtëpi shumë më e thjeshtë sesa zyrat e prokurorisë, sesa zyrat e policisë, sesa zyrat e partisë në pushtet, sesa shtëpia e një ministri aktual. Rruga përballë është shumë e ngushtë. Tani atë e kanë zënë plotësisht makinat e policisë. Shumë lexues nuk e dinë. Por për ta orientuar më mirë atë, le të japim disa shenja dalluese: në jug të shtëpisë së vogël, të gazetës është Kodra e Kuqe, ku luftuan e ranë heronjtë Vojo Kushi, Sadik Stavaleci e Xhoxhi Martini. Ndërsa tamam në krahun verior të shtëpisë ndodhet vendi ku ka luftuar dhe është vrarë Qemal Stafa, heroi i popullit. Ndërsa nga perëndimi shihen më shumë fusha ku kohët e fundit kanë mbirë shumë kasolle njerëzish të ardhur nga Tropoja e Kukësi! Këtu është redaksia.
Huniadi ndoshta jo, por NATO i hap rrugë kësaj “Ushtrie”
Ministri i Mbrojtjes, Zhulali, ka hapur një front të ri lufte kundër gazetës “Koha Jonë”. Sulmet e tij të ngjajnë vërtet si invazionet e ushtrive më të lashta që ka njohur bota. Unë nuk shoh ndonjë konceptim të ri në mënyrën e luftës së tij. Ndiqni sulmet e Ministrisë së Mbrojtjes kundër gazetës “Koha Jonë”: sulmon, shkon deri pranë bedenave të kalasë gazetë. Aty shfaq grumbullim të madh ushtarësh, dhe i krijohet përshtypja se është fitimtari. Mirëpo pikërisht aty, në rrëzë të bedenave, thyhet. Ministri Zhulali u thye për herë të parë në Mars 1993 me akuzën kundër kryeredaktorit Frangaj për panik e pavërtetësi. Humbi në këtë betejë konfuze. Nuk lëvizi shumë, vetëm dy hapa prapa, dhe në “çadrën e shtabit”formuloi menjëherë sulmin e ri, rrethimin e dytë, nën akuzën tjetër : “nxjerrje sekreti”. Edhe këtu humbi keqas. Mirëpo pikërisht si në artin e lashtë të ushtrive, Ministri ynë i Ushtrisë nuk e harroi “Vaterlonë” dhe mblodhi forcat dhe ju sul. Domethënë gazetës “Koha Jonë”. Sa ujëra rrodhën e megjithatë gazeta “in state of mind”. Ky është pikërisht stili më i vjetër. Ju sul përsëri për nxjerrje sekreti ku kishte humbur një herë; jo një herë e një kohë por pikërisht në erën e tij. Takticieni më i ri i kësaj rruge ka qenë kalorësi i famshëm J.Huniadi. Ai kishte ushtri të mëdha, sikurse ka sot NATO. Mirëpo sot ushtria e NATO-s të vetmin ushtri nuk e sulmon: ushtrinë e shtypit të lirë e të fjalës së lirë. Përkundrazi, kësaj ushtrie pa pushkë e pa topa, pa “nuclear arms” e pa avionë, vetëm me pena e lapsa, NATO dhe gjithë qytetërimi evropian e botëror i hapin rrugë. I hapin rrugë dhe e mbrojnë. Mirëpo Ministri ynë z. Zhulali as do t’ia dijë këtë fakt. Sulmi vazhdon…
Ç’na lanë pa punuar. Ndjesë i dashur lexues
E tërë kjo kohë dhe energji përballë shtetit është duke na shkuar kot. Ç’punë kemi ne me ushtritë e me policitë e shtetit. Ata kanë punën e tyre e ne tonën. Mirëpo nuk po na lënë pikërisht të bëjmë punën tonë. I keni parë ditë për ditë faqet e gazetës: terror psikologjik, kërcënim për burgim, deklaratë ministrore, padi për gjyq, letër për ndihmë kolegëve, kërkesë organizatave në botë… Ja këto keni gjetur. Na kanë mbetur shumë ngjarje pa pasqyruar. Na ka mbetur ngjarja tragjike e Shkodrës ku ndodhi vrasja politike. (Nuk e besoj se na sulmojnë me qëllim për ta arritur këtë). Na kanë mbetur sa e sa ngjarje: vizita e Presidentit në Azi, Presidenti Kravcuk u akuzua si tradhtar i kombit, skandali në Amerikë, Malajzia pëson humbje të mëdha prodhimi, partitë shqiptare jashtë kufirit pësojnë divorce, në Shqipëri vijnë lajme të kobshme nga refugjatët shqiptarë, KE na dha një ndihmë të re, spitalet janë në gjendje të tmerrshme, stopojnë autobusët dhe udhëtarët… sa shumë punë na kanë mbetur pa bërë. Kjo është e keqja më e madhe që mund t’i bësh informimit të publikut, dhe këtë e krijon pushteti politik. Çfarë është e vërtetë, në shumë punë ka ngecje, ka ngrirje: punësimi, investimet e huaja, Kushtetuta, ndonjëherë të vjen të thuash shtet i ngricave veriore. Ne duhet të bëjmë punën tonë që të mos ngrijmë, të paktën.
Ndërsa sot në Prokurorinë e Tiranës
Sot, më 30 Janar 1993, në ora 8:30, në Prokurorinë e Tiranës është thirrur kryeredaktori i gazetës Aleksandër Frangaj dhe gazetari Martin Leka. Ti i dashur lexues je duke lexuar gazetën, ndërsa atje brenda do të jetë duke u zhvilluar ky dialog.
Emri e mbiemri? – Aleksandër Frangaj.
Sa vjeç jeni? – 24. (Hetuesi me vete: bobo, kaq është djali im, mbrëmë nuk foli mirë për pushtetin, kushdo ç’do të ndodhë).
-Në ç’parti bëni pjesë? – Në Partinë e Punës…
-Si, kur jeni pranuar. Sa vjeç… Statuti…
-Ëhë, mos u shqetësoni. Thashë se varem e vij prej punës time..
-Keni marrë pjesë në aksione ose në lëvizje progresive?
Vetëm në lëvizjet e Dhjetorit me shokët e mi dhe si kryeredaktor i gazetës indipendente më të madhe të vendit.
-Do të thoni të vërtetën?
-Mendoj se për këtë më keni thirrur.
-Cili është burimi i informacionit të publikuar në gazetë?
-Unë nuk i shkel ligjet e shtetit dhe as jua dëshiroj juve këtë gjë: nuk e tregoj.
Kjo pra tani në orën 8.30 në zyrat e Prokurorisë së Tiranës ndodhen Aleksandër Frangaj, Martin Leka dhe hetuesi, ballë për ballë. Me siguri do të kenë ardhur edhe shumë kolegë, gazetarë. Blicet dhe mikrofonat janë gati. Kryeredaktori dhe hetuesi janë bashkë. Ky çast i fiksuar në foto e në shirit i duhet historisë. Djaloshi Aleksandër po hyn në një histori të madhe. Edhe hetuesi bashkë me të. Asnjërit nuk i shkon pa tjetrin.
Ne po presim… Ndoshta më shumë për të parë regjisurën e këtij akti mbas shumë vitesh. Skena nuk ka asnjë nevojë për turra drushë, padyshim. Jemi në kohë moderne./Frrok Çupi/