Frroku-gjykatës belge: Dua të jem i pranishëm në gjyqin kundër meje

Deputeti kristian-demokrat Mark Frroku mbahet në paraburgim prej muajsh.

Rreth dy javë pasi u refuzua nga Gjykata e Lartë, ai i drejtohet gjykatës belge, duke këmbëngulur që t'i garantojnë të drejtën për të ndjekur procesin penal kundër tij, i cili fillon me 19 tetor në Bruksel.

Në këtë kërkesë që do të depozitohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Bruksel këtë të enjte, Mark Frroku shprehet se jep pëlqimin që të jetë i pranishëm e mos të gjykohet në mungesë atje për dyshimet e vrasjes së kryer në bashkëpunim në mars 1999.

“Aktualisht, nga ana e mbrojtjes së deputetit Mark Frroku është përgatitur kërkesa, si dhe dosja përkatëse ku jepen të gjitha vendimet e Gjykatës shqiptare, ose vendimet e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me procedimin penal e cila ka filluar në rrugë ekstra-proçeduriale, ku ditën e enjte ne do të dorëzojmë në Belgjikë dosjen ku deputeti Mark Frroku do të japë pëlqimin që të marrë pjesë vullnetarisht në gjykatë. Pasi neni 6 i Konventës Europiane, çdo person ndaj të cilit ka një çështje penale duhet të sigurojë të drejtën e mbrojtjes, pjesëmarrjes në gjykim, ka të drejtë të paraqesë dëshmitarët e vetë, duke qenë në pozita të barabarta si me dëshmitarët e akuzës. Ne nuk mund të lejojmë një proces të parregullt ligjor, ku provat të flasin vetëm në emër të akuzës”, – theksoi avokati Saimir Vishaj.

Gjyqësorit belg i kërkohet nga deputeti gjithashtu që të njoftohen zyrtarët e burgjeve në Shqipëri dhe të paraburgimit 302, si edhe autoritetet shqiptare për të bërë të mundur dërgimin e tij në Belgjikë.

SHKARKO APP