Fshati Ishëm, Voda: 200 banesa të pabanueshme, vijon shpërndarja e ndihmave
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, preku edhe fshatim Ishëm. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, është gjendur pranë banorëve të dëmtuar dhe me durim, këmbëngulje dhe kurajo, ka drejtuar përpjekjet për të menaxhuar dhe lehtësuar situatën e vështirë. ”Puna në terren ka kohë që ka filluar. Ishmi ka qenë një nga zonat rurale më të prekura të bashkisë Durrës. Rreth 200 banesa në këtë Njësi Administrative janë shpallur të pabanueshme”.
Banorët shprehen se kanë marrë çadrat dimërore për t’u strehuar. Gjithashtu ata theksojnë se grupet e inxhinierëve kanë ardhur për të parë shtëpitë dhe për t’i klasifikuar ato të pajisur me tableta. Voda ka kërkuar nga banorët kurajo dhe durim deri sa të mbarojë procesi i verifikimit të dëmeve, më pas tha ajo, “Kryeministri ka premtuar një program rindërtimi të madh dhe për fshatin do të mendohet sesi do bëhet se ka shumë shtëpi të dëmtuara”.
Prefekti i Durrësit, Roland Nasto u shpreh se kryesorja është se solidariteti ka qenë shumë i madh dhe ”ne bëhemi të fortë duke parë që ka solidaritet edhe duke parë qëndresën tuaj ne na jep akoma më shumë forcë për të bërë akoma më shumë”. Një njësi lëvizëse është shndërruar në qendër shëndetësore në fshatin Ishëm. Voda tha se, ”një nga godinat e dëmtuara ka qenë dhe ajo e qendrës shëndetësore Ishëm. Tashmë kemi një njësi banimi lëvizëse, e cila është kthyer në një qendër shëndetësore dhe këtu banorët mund të marrin asistencën shëndetësore. Siç e dëgjuam disa prej tyre ishin dhe të sëmurë, por kanë një lehtësim se tashmë qendrën shëndetësore e kanë në dispozicion”.
Kadri Zylja, kreu i njësisë administrative Ishëm, bëri me dije se faza e parë, ajo e inspektimeve në objektet me emergjencë parësore ka përfunduar. ”Ishmi ka 9-të fshatra. Nga këto, në shtatë fshatra ka përfunduar inspektimi me proçesverbale dhe ka nisur inspektimi me Ipad. Tani ka nisur prej tre ditësh faza e dytë, ajo e kontrollit derë më derë e të gjitha banesave në zonën e Ishmit, duke u bazuar në kontratat që banorët e kësaj njësie administrative kanë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”. Duke folur për ndihmat, Zylja tha se fillimisht shpërndarja e tyre u realizua nga vetë vullnetarët pa ditur ekzaktësisht se kush kishte vërtet nevojë, duke krijuar kështu dhe problematika. ”Kemi pasur ndihma të shumta për banorët e Ishmit. Fillimisht shpërndarja nuk ka qenë dhe dhe aq e organizuar, por tani po kujdesemi që ndihma të shkoj aty ku duhet, me lista sipas nevojës”.