Funari me 17 fshatra vendosur mbi shtatë male

Nga Besim Dybeli

Në Veri  të qytetit të Elbasanit,  prej shekujsh rrjedh një lum i lashtë,  me emrin Zaranikë.  Lumi e ka zanafillën lart,  nga mali i Gurit të Zi dhe  shkrepat e kuq të Cërujës. Rrjedh i rrëmbyeshëm nën këmbët e Brinjës  thikë të Braneshit . Zbret si më i qetë buzë fshatit Rrilë e Gurabardh dhe pastaj kalon nëpër Katundin e Ri  e  Bradashesh, për tu bashkuar  me lumin Shkumbin . Në veri të qytetit , aty ku Zaranikës i është ngritur një pritë që nga koha e monizmit, e tani mjaft e dëmtuar nga koha, fillon një hapsirë e gjërë, mes shkëmbinjve të Gracenit  e Letanit  nga njera anë dhe kodrave të Godoleshit . Mes malit të Gurit të Zi e të Cërujës nga ana tjetër , që shtrihet deri  në Korrë e Mollagjesh  në kufi me fshatrat e Tiranës, që njihet  me emrin e bukur dhe të lashtë Gryka e Zaranikës, e që ngërthen në vetvete  17 fshatra e 7 male. Me pak përjashtime gjeofizike , e tërë kjo zonë piktoreske mbetet në Njësinë Administrative të Funarit. Emri i lumit  Zaranikë,  etimologjikisht është i shpjegueshëm nga fjala “zare”, guriçkat e bardha, ose gur zalli, , që mbidhen me shumicë nga rrëpirat e malit të Gurit të Zi e shkëmbinjve sipër lagjeve ,  Arpe dhe Vërri të Cërujës.  Zaranika është e dëgjuar edhe për legjendat e betejat e zhvilluara këtu gjatë viteve. E bëjmë rrugën në këmbë. Ecim rrugës së vjetër,  që kanë bërë të parët tanë shekuj me radhë. Është bukuri e rrallë të udhëtosh nëpër gurët  si zarë të Zaranikës e të thithësh  ajrin e pastër , që zbret nga Brinja e Braneshit e  të shijosh aromën e ullinjëve e pemëve për rreth.  Dhe ne nisemi pa humbur kohë. Shohim buzë Zaranikës , aty ku ngrihet diga e saj , një lagje të re me shtëpi të bukura  e  me banorë heterogjenë, të ardhur nga të katër anët e vendit , jeta e përditshme e të cilëve pulson nën kërcënimin e vazhdueshëm të vërshimit të këtij lumi. Erdhën nga malet lart dhe këtu në gurët e Zallit ngritën ndërtesat e tyre, se gjetën truallin me çmim  të lirë, pa pronar. Truall i thënçin, truall zalli. Është kjo arsye që shpesh herë mes dimrit, apo shirave të rënda të vjeshtës, vërshon Zaranika e përfshin ç’të gjejë përpara, mall e bagëti, prodhime e shtëpi. Nganjëherë edhe  jetë njerëzish. Tani , kjo lagje e përfitori legalizimin.  Por , përroi i Zaranikës  mbetet gjithmonë një rrezik për banorët e banesat e tyre. Tek e fundit , me forcat e natyrës nuk bëhet shaka. Bashkia jo pak fonde ka hedhur për të frenuar Zaranikën e për të mbrojtur jetën e banorëve.

e2

Swiss Digital Desktop Reklama

                 Mulliri i Ndreut

Shkelim nëpër gurët e zallit , duke hedhur vështrimin herë nga fshati Gurabardh e herë  nga faqja rrëpirë e Godoleshit. Në rrëzë të saj qëndron si relike e vjetër, por  me funksionim edhe sot,  Mulliri i Ndreut. Ka mbi 100 vjet që është ngritur dhe ka qenë gjithmonë në shërbim të këtyre  malsorëve të varfër . Këtu vinin dikur fshatarët nga Braneshi e Bixëllenja, Rrila e Bashabuni me  kafshët e ngarkuara me nga dy thasë  të endur me lesh dhije, mbushur me misër e prisnin radhën me orë të tëra  për të bluar. Ky mulli shërbeu edhe si strehë për partizanë të plagosur.

Swiss Digital Mobile Reklama

, apo për fshehjen e vrasëve  që kishin  marrë gjakun ndaj hasmitë,  këtu gjenin  një farë sigurie për disa ditë. Në kohën e monizmit, u ndërtuan në qendër të kooperativave mullinj,   që punonin me korent. Por këtij mulliri nuk i humbi vlera  asnjëherë. Jo vetëm se ai ishte i lakmueshëm për miellin e ëmbël që nxirrte ,  siç i thoshin fshatarët, por edhe për faktin tjetër  se  linjat elektrike kishin defekte të shpeshta, dhe banorët e këtyre anëve i drejtoheshin po këtij mulliri për bluarjen e atij grusht misri që kishin prodhuar. Radhët  ishin të gjata, por disiplina, zbatimi i rregullit të vendosur fshatçe, ishte edukatë e secilit. Ndeshemi këtyre anëve  me toponime të tilla si  Gurabardh, Brinjë e Braneshit, Folonjë, Hurdha e Zezë, Konopere, Rrëpirat e Gjarpërit, dhe mundohemi të nxjerrim diçka nga brendësia e tyre. ”Gurabardhi e ka marrë këtë emër, jo vetëm për faktin, se, sipër shtrihet shkëmbi  me gurë të  bardhë i Letanit, por ky vend të nxjerr faqebardhë edhe për prodhimet bujqësore  e blektorale. Për klimën optimal që ka,  këtu prodhohen të gjitha llojet e pemëve frutore, që nga rrushi e hurma, e  deri tek ulliri e limoni si dhe çdo perime e gjen  këtu, të cilat  dalin në një periudhë të hershme. Disa toponime të bëjnë të mendohesh thellë. Kështu në këto anë nuk përdoret emri “fole”, por çerdhe. Mirëpo toponimin “Folonjë”, e  shpjegojnë me togfjalëshin ”fole uji” . Dhe vërtetë  ky lum i vogël mban ujë në të gjitha stinët. Emrin “konopere”, një grykë mes shkëmbinjve, etimologjikisht e  lidhin me  dy fjalë  , “konop”,  fjalë e cila në këto anë përdoret “ litar” dhe fjalën“erë” e cila në togfjalëshin “konop- ere” japin besnikërisht pozicionin midis shkëmbinjve të këtij vendi ,  nga ku fryn vazhdimisht  edhe flladi i lehtë në verë e murlani në dimër . Më vështirë do ta kemi kur të ngjitemi në brinjën e Braneshit.  Është një e përpjetë thikë,  që ta  merr shpirtin, deri sa  të dalësh në fushën e Funarit, rreth  6 km më lart. Nuk e kuptova, se kisha arritur aty nga mesi i  brinjës, mes drunjve  dhe ferrave dhe ishte bërë natë. Diçka lëvizte nëpër gëmusha, por këmbët nuk më kthenin  më prapa, por më nxitnin të vrapoja më shpejt. Për Brinjën e Braneshit tregojnë shumë histori. Njëra thotë  se një banor i Funarit u largua jasht shtetit në Stamboll, në kohën e sundimit turk. Pasi kaluan dhjetra vjet e të afërmit iu lutën të kthehej pranë familjes, ai fillimisht pyeti: – “A është më Brinja e Braneshit? Nëse ajo ekziston, unë nuk kthehem kurrë.. Vetëm atë brinjë nuk dua ta ngjis më… ““.

Grykën e Zaranikës

Grykën e Zaranikës e kanë bërë të njohur edhe burrat e mençur që kanë lindur  e jetuar këtyre anëve. Emrat e tyre përmenden edhe sot në dasma e gëzime, apo në muhabete burrash që bëhen në odat e miqëve. Selim Meta nga Balza e dha jetën në përpjekje me forca diversante, pak kohë, pasi  ishte çliruar vendi nga pushtuesit, dhe u përjetësua në këngën e solistëve elbasanas. Isuf Deliu nga Mollagjeshi, ishte patrioti me nam,  që u shërbeu bashkëfshatarëve,  jo vetëm si  drejtues gjatë  Luftës, por edhe si hoxhë i fshatit. Ishte i zgjuar dhe gëzonte respekt tek të gjitha shtresat  e për këtë arriti të bëhet  edhe shef i seksionit të bujqësisë të rrethit të Elbasanit, në kohën më të vështirë. Në Mollagjesh u hap shkolla e parë shqipe që në vitin 1932, si një ndër shkollat e para shqipe   pas asaj Normale dhe pas dy të tjerave, njëra hapur në Shpat të Elbasanit e tjetra në Vrap të Peqinit. Dy burrat e Mollagjeshit,  Isuf Deliu dhe Sali Çela, morën udhën në këmbë drejt  Ministrisë së Arsimit të kohës dhe  siguruan pas një argumentimi këmbëngulës një dokument për hapjen e shkollës. Në kthim i zuri nata rrugës, e  fjetën  në një shpellë, me lejen e hapjes së shkollës në gji dhe të nesërmen  dhanë sihariqin e hapjes së saj në gjithë Grykën. Dhe ndonjë skeptiku, që nuk pranonte të silltë fëmijën në shkollë, Sali Çela iu përgjigj me shembullin e tij  konkret. Ai qethi si çun vajzën e tij të vetme dhe e dërgoi atë i pari në  dhomën me lagështirë që shërbeu si shkollë fillimisht. Ismail Kaca nga Bixëllenja, ishte përfaqësues i Ballit Kombëtar e Rrapush Hyka në Korrë, përfaqësues i Legalitetit, por gjithçka e vunë në shërbim të banorëve të Grykës së Zaranikës e lirisë së vendit. Bashkëpunuan të tre,bashkë me Isuf Deliun, me një qëllim të vetëm, që pushka të ishte drejtuar vetëm kundër pushtuesit e të mbroheshin me çdo kusht vatrat e fshatarëve të kësaj Gryke. Gjurmë kanë lënë edhe Gani Çupi e Hasan Sherja në Korrë ,një fshat me mjaft  tradita arsimdashëse, që për njëzet vjet rrjesht  drejtuan  pushtetin në fshat dhe fituan besimin e popullit, sepse  vunë gjithçka  me ndershmëri e sinqeritet në shërbim të tij. Nuk ishte atëhere si sot. Nuk njihej atëhere  bakshishi e korrupsioni  për të zgjidhur hallin. Drejtuesi i pushteti të trokiste vetë tek dera e hallexhiut e jepte ndihmën e duhur. Ishte një ndershmëri e lartë e një lidhje fort e sinqertë midis njerëzish e drejtuesit. Po kështu  në fshtatin Mollagjesh  ka jetuar edhe plaku mbi 100 vjeçar, Kalem Haka ,që u jepte mend burrave të  gjithë Grykës, e para mençurisë së  tij tuteshin pushtetarët e ardhur nga rrethi. Sot , njeriu me të njëjtin emër , është specialist blektorie në Njësinë Administrative të Funarit. Ai flet edhe për turizmin në këtë zonë , por duket se ëndërrat e tij mbeten larg shpresës për realitet.  Gryka e Zaranikës është një zonë myslimane e lidhur ngushtë me fenë e me ritet fetare. Dikur gjashtë  banorë të fshatit  u dënuan me burg për shkak të besimit . Edhe xhamia u mbyll forcërisht pas kësaj ngjarjeje  për tu hapur vetëm pas 23 vjetësh, me fillimet e demokracisë. Dhe zëri i hoxhës  që dëgjojmë sonte nga lartësia e minares,  është një kujtesë edhe për ata sakrifica të bëra nga ato burra për mbrojtjen e dinjitetit fetar.

Gryka e Zaranikës , ashtu si gjithë qyteti i Elbasanit dhe  ish- komunat, ia besuan drejtimin e Bashkisë, kryetarit aktual të këtij institucioni. Edhe pse reforma për të bërë  shtet ka impaktin e saj, edhe në këto anë , përsëri votimet treguan se njerëzit mbi të gjitha duan shtet. Të gjithë kanë shpresë e besojmë, se do të bëhet vërtet shteti e , Shqipëria  do t’i kthehet normalitetit .Rritja e mirëqenies do të jetë e shpejtë, ashtu siç mendojnë shumë banorë të kësaj zone.

 Le të shpresojmë se Funari me të gjitha fshatrat e grykës së Zaranikës do të jetojnë më mirë dhe për rreth rezervuarëve të kësaj zone , shoqëruar me bukuri magjepëse natyrore , dora e njeriut dhe investimet të të ofrojnë dëshirën për të kaluar këtu kohë pushimesh në dimër e në verë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?