Fundjavë pa politikë!

E shtunë, datë 1 gusht, 2015!

Një qetësi ka pushtuar jo vetëm kryeqytetin! Të gjithë kanë planifikuar diçka. Dikush është larguar me pushime, disa të tjerë gjenden brenda katër mureve të zyrës duke punuar, pasi shteti, apo privati i do në pune, dikush tjetër pa dëshirën e tij mbyllet në shtëpi, sepse nuk ka mundësi ekonomike për të kaluar një fundjavë të bukur, ndërsa disa të tjerë ende vrasin kohën nëpër kafenetë e lagjes…

Nga shteti vetëm policia është në punë! Të tjerët kane kyçur zyrat. Edhe Erion Veliaj është në punë, sepse… sapo ka hyrë në Bashki.

Dje pushuesit iu drejtuan bregdetit. Njëri i bardhë, dikush i pa nxirë nga dielli, të tjerë… me ngjyrë çokollatë nga plazhi i korrikut. Në pikat turistike malore vazhdon të ketë radhë pambarim duke iu ngjitur maleve. Ndërsa tragetet në portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe tek ndonjë tek-tuk në Shëngjin, sjellin me mijëra emigrantë e turistë për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ndërkohë politika e zhurmshme fatmirërisht ka marrë “arratinë”, shumica jashtë Shqipërisë nëpër vende ekzotike. Nëpër ishuj me Palma e shumë të shtrenjta, ku shampanja derdhet mbi tavolinat e jahteve. Kurse Edi Rama dhe Sali Berisha… të ndryshëm nga njëri-tjetri jo vetëm në bindje, por edhe shije, çuditërisht në këtë pikë bashkohen. Ata kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri. Kryeministri me djalin e vogël buzë detit nga Zona e Bregut, ndërsa Berisha në Jalë, atje ku ai vetëshpallet prej 8 vitesh “kampion noti”.

Më në fund, pas kaq muajsh debati e sherri politika do të mbyllë gojën, do të rrijë urtë dhe nuk do të trembë njeri më atë ‘zërin e vrazhdë’ gjatë gushtit, sepse të gjithë kanë nevojë për pak pushime. Edhe politikani, ku pjesa dërrmuese e tyre nuk meritojnë aspak të quhen të tillë, porse më shumë mafiozë dhe të paaftë. Por edhe vete qytetarët e thjeshtë në këtë 30 ditësh janë arratisur nga rutina e përditshmërisë, larg halleve, që “i vrasin” pak nga pak shpirtërisht e fizikisht.

Të gjithë kanë “ulur qepenat”, me shpresën për një vjeshtë më të mirë dhe më punëdhënëse, sepse siç edhe proverbi i vjetër thotë  “shpresa vdes e fundit”, ndaj të gjithëve pikërisht kjo shpresë na mban optimistë për një jetë më të qetë e për një politikë tjetër, më njerëzore.

Kanë kaluar kaq vite e tranzicioni jo vetëm politik, por edhe ai i sferave të tjera shihet qartë se e ka lodhur popullin. E ka lodhur deri në zhgënjim qytetarin e fshatarin, intelektualin dhe të zakonshmin, të mirin e “të keqin”, shkrimtarin e zdrukthëtarin, poetin e këpucarin… Politika, në shumicën e rasteve shterpë e ka lodhur këtë vend, prandaj qetësia e këtij fillim-gushti shpresojmë të jetë një periudhë e mirë jo vetëm relaksi familjar i politikanëve, por edhe një moment i duhur për të reflektuar mbi gabimet e saj, mbi objektivat e radhës dhe realizimin e kushteve që të renditemi si vend dinjitoz përkrah politikave të jashtme. Gjithçka për qytetarin dhe vendin!     

SHKARKO APP