Fuqia e grave nën uniformë, Xhaçka: 14% e tyre në misione jashtë vendit
Balancimi i raporteve gjinore në Forcat e Armatosura po vjen duke u rritur. Pas Policisë së Shtetit edhe uniformat e ushtrisë po vishen gjithnjë e më shumë nga gratë e vajzat, të cilat marrin përsipër edhe misione të vështira si ato paqeruajtëse jashtë vendit.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka sjell një prej këtyre rasteve të suksesit në Forcat e Armatosura, ushtare e II Ertisa Çerri, duke nënvizuar se ajo përfaqëson më së miri tashmë fuqinë e Aleancës Euroatalntike me uniformën e saj. ”Fuqia e Aleancës buron nga vajzat dhe djemtë që shërbejnë nën uniformë. Një nga to është ushtare e II, Ertisa Çerri nga kompania e dytë, batalioni i II i këmbësorisë”.
Sipas saj, rritja e numrit të efektiveve femra si në Forcat e Armatosura, ashtu dhe në misionet paqeruajtëse ka sjellë një tjetër frymë për vetë përfaqësinë tonë në NATO. “Si asnjëherë më parë, 14% e efektivëve në misionet tona jashtë vendit janë gra e vajza, ndërsa në gjithë Forcat e Armatosura plot 18%”.