Fushata anti-korrupsion kundër drejtuesve vendor shfryhet në gjykata

Nga Aleksandra Bogdani, BIRN
 
Prokuroria ka proceduar për korrupsion 21 kryetarë bashkish dhe komunash në një vit, por vetëm njëri prej tyre gjendet aktualisht në qeli. Proceset e nisura me bujë shfryhen në dyert e gjykatave.
 
Mbi 20 kryetarë bashkish dhe komunash në Shqipëri gjenden nën akuzë për abuzime me detyrën, si rezultat i luftës anti-korrupsion të Prokurorisë. Por proceset e nisura me bujë janë shfryrë rrugës, duke përfunduar me vendime pafajësie apo dënime minimale për të akuzuarit.
 
Qeveria shqiptare pritet të prezantojë javën e ardhshme një fushatë të madhe kundër korrupsionit, por rezultatet e deritanishme nuk japin shpresë për përmbysjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.
 
Lufta kundër korrupsionit ishte prioriteti kryesor i shpallur nga shefi i Prokurorisë, Adriatik Llalla në fillim të mandatit të tij, në dhjetor të vitit 2012. Dy vjet më pas, Prokuroria numëron dhjetra procese të hapura, por nuk ka mundur të bindë gjykatat për të dënuar me burg ndonjë zyrtar të njohur për korrupsion.
 
21 prej këtyre zyrtarë janë kryetarë komunash dhe bashkish, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti, dhënie lejesh ndërtimi në kundërshtim me ligjin, shkelje të barazisë në tenderë apo mosdeklarim pasurie.
 
BIRN u është rikthyer çështjeve penale të të zgjedhurve vendorë, të cilët kanë pasur procese të hapura gjatë vitit 2014 dhe rezulton se vetëm kryetari i komunës së Ksamilit në Sarandë është aktualisht në qeli.
 
Gjashtë zyrtarët e tjerë të arrestuar kanë qëndruar veçse pak ditë pas hekurave, duke u hetuar dhe gjykuar më pas në gjendje të lirë.
 
Nga 21 akuzat e ngritura, çështja e kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika ka përfunduar në pafajësi. Tre kryetarë komunash në Mat janë dënuar nga 1 deri në 2 vjet burg nga shkalla e parë, ndërsa rastet e tjera ndodhen ende në proces hetimi apo gjykimi.
 
Kryeprokurori Llalla, në intervistën e tij të fundit për Zërin e Amerikës renditi hetimet për zyrtarët vendore dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë si sukses të institucionit që drejton në luftën kundër korrupsionit.
 
“Ne synojmë që me goditjen e këtij fenomeni të afrojmë edhe më tej Shqipërinë drejt të ardhmes europiane,” tha ai.
 
Megjithatë, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin është e pakënaqur me rezultatet e deritanishme. “Nga qeveria shqiptare kërkojmë rezultate të prekshme,” tha ajo të martën, në një konferencë për Strategjinë Antikorrupsion të Shqipërisë.
 
Akuzat për zyrtarët shfryhen në gjykatë
 
Prokuroria e nisi betejën antikorrupsion me dërgimin në gjyq të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili në tetor të vitit 2013 u akuzua për falsifikimin e dy lejeve të ndërtimit.
 
Një vit më pas, Gjika u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës. Prokuroria kërkoi 4 vjet burgim për Gjikën dhe kur u rrëzua në gjykatën e shkallës së parë, e dërgoi çështjen në Apel. Aktualisht, dosja është në pritje të nisjes së gjykimit, por shpresat për një kthesë të mundshme të procesit janë të zbehta.
 
Që prej fillimit të gjyqit, Shpëtim Gjika e quajti procesin si politik dhe nuk pranoi të kishte kryer asnjë abuzim me detyrën. Të njëjtën alibi përdori edhe kryetari kontrovers i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
 
Mziu u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë. Por ai qëndroi veçse pak javë në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit i ndryshoi masën e sigurisë në “hetim në gjendje të lirë”.
 
Procesi kundër tij u zvarrit për 5 muaj, në pritje të një interpretimi ligjor të Gjykatës Kushtetuese dhe sapo i është rikthyer rrjedhës së vet normale. Xhelal Mziu mbetet aktualisht në pritje të konkluzioneve të prokurorisë për akuzën e ngritur kundër tij.
 
I treti nën akuzë është kryebashkiaku jetëgjatë i Fierit, Baftjar Zeqo. Ai është në proces gjyqësor për shpërdorim detyre në dhënien e kredive të buta për strehim.
 
Përballë gjyqit janë edhe kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi dhe ai i Vaut të Dejës, Gjon Marku. I pari akuzohet për refuzim të deklarimit të pasurisë, ndërsa i dyti për falsifikim dokumentesh.
 
Dosjet e kryekomunarëve
 
Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon Genci Dritën, kryetar i komunës së Bërzhitës se kishte marrë 4500 euro rryshfet për të lejuar një ndërtim në fshat. Pozita e kryekomunarit u rëndua edhe më tej, kur Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive zbuloi se ai kishte fshehur pasurinë, që llogaritej të kapte vlerën e 2 milionë dollarëve.
 
Drita u arrestua në 2 shtator 2014, por u lirua nga qelia pas një vendimi të Gjykatës së Apelit. Aktualisht, ai po prêt në arrest shtëpie fillimin e procesit gjyqësor kundër tij.
 
Kryekomunari i Bërzhitës bashkohet në të njëjtin fat me 14 homologë të tjerë, të cilët drejtojnë njësitë vendore nga veriu, në jug të vendit. Mes tyre, akuzat më të rënda janë për Besnik Abedinin e Ksamilit dhe Hysen Gashin e komunës së Rrashbullit në Durrës.
 
Prokuroria e akuzon Abedinin për lëshimin e 15 lejeve të kundraligjshme në bregdet. Kryetari i komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi akuzohet gjithashtu për 16 leje të ngjashme pallatesh, disa prej të cilëve janë ndërtuar mbi rërë.
 
Të akuzuarit e tjerë janë në listën e zezë të ILDKP-së për mosdeklarim pasurie ose të hetuar për falsifikim dokumentesh. Në një rast, një kryekomunar akuzohet edhe për abuzim me ndihmën ekonomike.
 
Në rastet e zyrtarëve, Prokuroria ka ndjekur një politikë të ashpër penale, por çështjet janë rrëzuar me lehtësi nga gjykatat. Deri më tani, Apelimet nuk kanë mundur të shënojnë një rezultat më të mirë në luftën kundër korrupsionit.
 
Akuzat për 21 të zgjedhurit vendorë:
 
Genci Drita, kryetar i komunës së Bërzhitës
 
Akuzohet për korrupusion pasiv. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi që ai të presë procesin në arrest shtëpiak.
 
Besnik Abedini, kryetar i komunës së Ksamilit
 
Akuzohet për shpërdorim detyre në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Ndodhet me masën e sigurisë “arrest me burg”.
 
Shpëtim Gjika, kryetar i Bashkisë së Vlorës
 
Gjykata e Tiranës i dha pafajësi për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuroria apeloi vendimin dhe çështja ndodhet në pritje të gjykimit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
 
Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë së Kamzës
 
Akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera. Vazhdon shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Tiranës.
 
Baftjar Zeqo, kryetar i Bashkisë së Fierit
 
Akuzohet për shpërdorim detyre në dhënien e kredive të buta për strehim. Çështja është në gjykim dhe ndaj tij është e vendosur masa e “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
 
Hysen Gashi, kryetar i komunës së Rrashbullit
 
Akuzohet për shpërdorim detyre në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Masa e arrestit me burg u ndryshua në arrest shtëpie nga Apeli.
 
Dashnor Aliko, kryetar i komunës së Lazaratit
 
Po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si pjesë e një dosjeje voluminoze për kultivimin e hashashit në komunën e tij.
 
Salvator Kaçaj, kryetar i komunës Shëngjin
 
U hetua nga Prokuroria e Lezhës, por rezultoi se ai nuk është i përfshirë në çështjen e ndarjes së tokave. Firma e tij rezultoi e falsifikuar.
 
Petrit Bardhi, kryetar i komunës së Kaçinarit në Lezhë
 
Akuzohet për refuzim të deklarimit të pasurisë. Çështja është në gjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë.
 
Pajtim Gllava, kryetar i komunës Ruzhdie
 
Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria pas një kallëzimi të ILDKPKI. Çështja është në gjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier
 
Agron Demushi, kryetar i Bashkisë së Bajram Currit
 
Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria pas një kallëzimi të ILDKPKI. Çështja është në gjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Tropojë
 
Gëzim Meshaj, kryetar i komunës Lekbibaj
 
Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria pas një kallëzimi të ILDKPKI. Çështja është në gjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Tropojë
 
Anesti Dhimojani, ish-kreu i qarkut Vlorë
 
Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria pas një kallëzimi të ILDKPKI. Çështja është në gjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë
 
Lekë Bibaj, kryetar i komunës Hajmel, Shkodër
 
Akuzohet për falsifikim dokumentesh. Çështja është në gjykim dhe ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
 
Gjon Marku, kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës
 
Akuzohet për falsifikim dokumentesh. Çështja është në proces gjykimi.
 
Agron Hysa, kryetar i komunës Mollas në Elbasan
 
Prokuroria e Elbasanit e akuzon kryetarin e komunës Mollas, Agron Hysa, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Çështja është në gjykim.
 
Agim Selita, kryetar i komunës Lis, Mat
 
Akuzohet për “shpërdorim detyre”. Prokuroria e Matit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për kryetarin e komunës Lis, Mat..
 
Lirim Nehanaj, Kryetari i komunës Gruemirë, Shkodër
 
Akuzohet për shpërdorim detyre dhe refuzim të deklarimit të pasurisë. Çështja është në gjykim në gjykatën e rrethit gjyqësor Shkodër.
 
Mustafa Celami, kryetar i komunës Gurrë, Mat
 
Gjykata e rrethit gjyqësor Mat ka dënuar me dy vjet burg për “shpërdorim detyre”. Aktualisht çështja po shqyrtohet në gjykatën e Apelit.
 
Lutfi Caka, kryetar i komunës Xibër, Mat
 
Gjykata e rrethit gjyqësor Mat ka dënuar me dy vjet burg për “shpërdorim detyre”. Aktualisht çështja po shqyrtohet në gjykatën e Apelit.
 
Hamit Gjakrosa, kryetar i komunës Rukaj, Mat
 
Gjykata e rrethit gjyqësor Mat ka dënuar me 1 vit burg kryetarin e komunës Rukaj. Aktualisht çështja po shqyrtohet në gjykatën e Apelit.

SHKARKO APP