Fushata e Fatmir Mediut: Kam takuar njerëz kudo, dominon varfëria
Edhe Partia Republikane mbylli sot fushatën zgjedhore. Kryetari Fatmir Mediu, i cili garon në qarkun e Tiranës në listën e PD-së, thotë se qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen e Ramës. Gjatë një interviste në “Ilva Now”, Mediu u shpreh se në takimet elektorale ka vërejtur se dëshira e njerëzve për t’u larguar nga Shqipëria është e madhe.
”Kam takuar njerëz kudo, ajo që dominon është varfëria, pasiguria dhe dëshira për t’u larguar nga Shqipëria. Kjo është për të ardhur keq. Duhet të kthejmë besimin te shqiptarët. Duhet ndërtuar një shtet funksional, ku njerëzve duhet t’u garantohen të drejtat e tyre”.
Për liderin e PR-së, Shqipëria ka nevojë urgjente të ndërtojë një shtet funksional. ”Një lider duhet të sillet mirë me qytetarët. Ai ka manipuluar gjithë kohës. Majat çdo shqiptar i ka arritur kur ka pasur shtet funksional, nuk është se të merr Rama apo Basha për dore”.