Futboll, Shqipëria tersi i minutave shtesë

 
 
 
Shqipëria është ndëshkuar në minutat shtesë të ndeshjes me Serbinë në Elbasan Arena. Në 4 minutat e fundit ekipi serb arriti të shënojë dy gola. Në minutën e 91 dhe minutën e 93, lojtarët Kolarov dhe Lajliç çuan skuadrën e tyre drejt fitores. Shqipërisë i duhej një fitore në këtë ndeshje. Por edhe barazimi ishte ideal mbrëmë pasi Danimarka u rrah nga Portugalia. Djemtë e kombëtares donin fitoren, por e pësuan në ato minuta, kur mendohej se e morëm një pikë. Megjithatë, gjasat për Euro 2016 janë akoma të mëdha në kampin kuqezi. Kjo pasi dje Portugalia mposhti Danimarkën, rivalin tonë të drejtpërdrejtë për pozitën e dytë në grupin tonë. Shqipëria ka vetëm një pikë më pak sesa Danimarka dhe kemi dhe një mundësi ndaj Armenisë. Por ndaj Armenisë duhet një fitore për të siguruar kalimin historik. Ndryshe shkojmë në playoff.
Por matematika vlen për kualifikimin, por jo për lojën që bëri dje ekipi jonë kombëtar. Ndeshja me Serbinë kishte ngarkesa të mëdha emocionale. Mund të kishte dalë edhe barazim dhe do ishte e pranueshme, por një humbje si ajo e djeshme ishte gati e turpshme. E turpshme, jo sepse po ndesheshim me Serbinë, por sepse skuadra jonë nuk po arrin të ngrihet në një nivel me të lartë profesional. Skuadra kombëtare nuk po kujdeset për minutat e fundit. E kjo nuk vlen vetëm përballë serbëve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Portugalinë. Janë skuadra me peshë në futbollin botëror dhe ekipi ynë deri në minutat e fundit ka arritur të përballet denjësisht. Më pas, në minutat e fundit, apo më keq ato shtesë, skuadra jonë nga profesioniste kthehet në një grup lojtarësh gati amatorë. E tha edhe mbrëmë kapiteni Lorik Cana se ishte gabim i skuadrës që po turreshim për fitore në minutat e fundit, ndërkohë që braktisëm mbrojtëm. Gabime në mbrojtje dhe në mesfushë janë ato që vihen re më së shumti në lojën e minutave të fundit. Por a është ky ndëshkim i dytë radhazi siç thuhet me gjuhën e tifozëve çështje fati, apo ekipi ynë ka probleme serioze me disiplinën dhe ruajtjen e lojës në të njëjtin nivel? Ndeshja me Portugalinë dhe me Serbinë treguan se më shumë se fat është çështje taktike dhe organizim i lojës. Është çështje pjekurie e ekipit. Nuk mundet me një Lorik Cana të mbrohet Shqipëria !
 Në të vertetë ekipi ka lojtarë me përvojë që luajnë në skuadra të njohura europiane dhe në momentet deçizive duhet të mbajnë skuadrën me këmbë në tokë. Kapiteni Lorik Cana dje pas ndeshjes tha se një pjesë e lojtarëve nuk ishin bindur në sinjalet për tu tërhequr. Një dëshmi se problemet në ekip janë edhe më të rënda sesa duken, pasi në futboll, rregullat e para kanë të bëjnë me disiplinën. Nuk mund të flitet për eufori, pasi ishim barazim dhe jo në humbje. Kishim vetëm katër minuta shtesë e në vend që të ishim të disiplinuar u çorodit ekipi. Fakti është që kombëtarja jonë nuk është se shkëlqeu gjatë gjithë lojës, kjo edhe për faktin që përballë kishte një ekip me lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha europiane. Por edhe për emocionet që mbarte kjo përballje me Serbinë, me të cilën kishim sherre, jo vetëm sportive. Pjesa e parë linte shumë për të dëshiruar në sulm dhe nuk u konkretizua me asnjë aksion të rrezikshëm. Mbajtëm më shumë topin në fushë, por nuk kishim atë superioritetin që duhet të ketë një skuadër e madhe. Këtë sindromë duket e përshkroi më mirë trajneri De Biasi: “Kjo skuadër udhëhiqet më shumë nga instikti sesa nga arsyeja”.
Mbase gjithë ky kontraktim i djeshëm i skuadrës lidhet me presionin dhe tifozët  që kishin për ndeshjen me Serbinë. Ndeshja u komentua si një betejë mes dy kombeve dhe jo si një ndeshje futbolli . Mundet kjo ngarkesë  dëmtoi emocionalisht skuadrën.  Megjithatë ishte vetëm një ndeshje futbolli dhe ekipin nuk duhet ta gjykojmë pse nuk mundi Serbinë, por përse ndëshkohet në minutat e fundit. Edhe me Portugalinë e njëjta histori.
Fatmirësisht kemi diçka për të cilën mund të krenohemi. Qytetaria e tifozerisë shqiptare dje fitoi me thellë sesa ekipi serbë në Elbasan. Përballë mediave serbe që shkruanin se do derdhet gjak në Elbasan, se do theren lojtarët serbë dhe do bëhen atentate, dje dëshmuam se jemi qytetarë europinë. Gjithë media ndërkombëtare dje i kishte sytë në Shqipëri, ku ishte parashikuar të kishte shfaqje dhune dhe sulme. Fatmirësisht u treguam se të gjitha ishin gënjeshtra.  Dëshmuam se nuk jemi racistë, se nuk fyejmë kundërshtarin, se nuk denigrojmë simbolet kombëtare të vendeve të tjera dhe se dimë të jemi superiorë në qytetari. Kjo është një fitore më e rëndësishme sesa ndeshja e futbollit.
Humbëm në fushë, por fituam shumë si komb në raport me Serbinë, e cila bëri masakër vitin e kaluar mbi ekipin tonë. Ne jo vetëm i pritëm pa incidente, porse iu respektuam tifozët që kishin ardhur për të parë ndeshjen.
 
E kemi dhe një shans me Armeninë. Të presim, por kujdes minutat shtesë!

SHKARKO APP