Futja e anglishtes në klasën e parë, eksperti: Mund të jetë e rrezikshme
Qytetarët janë të ndarë në qëndrime për nismën e propozuar të qeverisë për futjen e anglishtes që në klasë të parë si lëndë mësimore. Disa mendojmë që kjo është një risi që është e domosdoshme, e të tjerë e konsiderojnë si mbingarkesë’.
“Jemi shumë dakord që të futet anglishtja, sepse ajo gjuhë zotëron botën, kudo që ët shkosh,” thotë një qytetar.
“Fëmijët në atë moshë kanë më shumë kapacitet për të mësuar gjuhë të huaj,” thotë qytetari.
“S’ma ha mendja që të jetë e mirë sepse nxënësit hyjnë në klasën e parë në moshën 6 vjeç. Mundet të jetë diçka ndihmëse, por që të fitojë njohuri që në klasën e parë,” thotë qytetari.
“Varet nga ngarkesa që kanë fëmijët ta përballojnë nga ana pedagogjike dhe psikologjike,” thotë qytetari.
Qemal Çejku, ekspert i arsimit thotë se futja e anglishtes në kurrikulën arsimore të klasave të para mund të sjellë mbingarkesë, madje shihet dhe si eksperiment i rrezikshëm.
“Sigurisht nuk mund të them që është nismë e keqe sepse nxënësit në klasën e parë dhe të dytë janë më të prirur për të marrë informacione të reja, por kjo nuk do të thotë që ti të vendosësh diçka në bërthamë, diçka në kurrikulën e klasës së parë sepse është shumë e rrezikshme,” thotë Çejku.
Specialistët propozojnë si alternativë një orë interaktive më së shumti në formën e lojës apo tregimit të përrallave, si një mënyrë kjo e përshtatshme me psikologjinë e zhvillimin e fëmijëve të kësaj moshe.
“Dhe në komunikimin virtual dhe me historitë ditore, edhe me format e ndryshme të vizatimeve, të ngjyrosjeve dhe me nënkuptimin poshtë se çfarë është ajo që ka ngjyrosur. Kjo mund të jetë pjesë alternative për klasën e parë,” tha eksperti.
Për implementimin e kësaj nisme sipas tij duhet një staf pedagogjik i mirë-trajnuar.
“Do duhet një program shumë i qartë i një trajnimi për këta mësues nëse do t’i kemi. Unë dyshoj që këtë nuk mund ta kemi,” tha eksperti.