Gara për Tiranën, zv/ministri Kadia: Qytetarët janë koshientë për punën e bërë nga Veliaj
Zv/ministri i Jashtëm, Besart Kadia flet për fushatën elektorale të deritanishme në Tiranë. Kadia në këto zgjedhje garon për pozicionin e anëtarit të këshillit bashkiak. I pyetur se si është duke shkuar fushata dhe pse janë duke zhvilluar takime të mëdha ndryshe nga ajo që thanë në fillim, Kadia shprehet se popullësia është e madhe dhe numri i personave që marrin pjesë në takime relativisht është i lartë.
Ku janë zonat ku ju jeni fokusuar më shumë në Tiranë, ku e ndjen Partia Socialiste veten më të pasigurt në këto zgjedhje?
Pasiguria nuk është koncept fare në këto zgjedhje, e rëndësishme është të shpjegohet rekordi i tetë viteve të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. Ka disa mënyra, ose do ta shohim njësi për njësi, mos harrojmë që Tirana është jashtëzakonisht e zgjeruar.
Nuk është Tirana e mëparshme, shkon deri në Malin e Dajtit, apo deri në Baldushk në pjesën jugore. Pra ka një mënyrë për ta parë në eksperiencën personale, si çdo njësi që thotë më është bërë një rrugë, më është bërë një shkollë, më është bërë një kopësht i ri, më është bërë pastrimi i lagjes apo jo.
Ndihet e fortë gara përballë Belind Këlliçit, dhe premtimeve që ai ka bërë që mund të drejtojë votën drejt të djathtës duke qenë se transporti publik falas ka një impakt te një kategori njerëzish?
Që kur themi transport publik falas, drejtohemi drejt votuesve të majtë. Në qoftë se kjo do të ndodhte, do ta përkeqësonte të gjithë performancën e bashkisë së kryeqytetit, që do të thotë me dhjetëra milionë Euro do të shkonte për atë shërbim që gjithsesi ofrohet dhe paguan qytetari që merr shërbimin.
Nëse do të paguhej nga taksat e buxhetit të Tiranës, do të thotë që të gjithë neve që nuk e përdorim urbanin, do të paguajmë për një shërbim që nuk e marrim. E dyta, këto para që do të shkonin për një çerdhe, apo për një investim në një rrugë, nuk do të shkojnë më, por do të shkojnë në një shërbim që gjithsesi është. Është i realizueshëm, por a është e mirë apo e keqe? Ne mund të bëjmë gjithë buxhetin për gjëra falas, por shërbimet do të shkatërrohen dhe nuk do kemi më qytetin që njohim, do kemi mesele të tjera.