Garancia Sovrane mbështet zgjerimin e prodhimit dhe eksporteve të vajit të ullirit në Elbasan
Investimet në teknologji moderne dhe mbështetja përmes Skemës Kombëtare të Investimeve dhe Kredisë së Butë me Garanci Sovrane po i japin mundësi sipërmarrjeve në Elbasan, të zgjerojë prodhimin dhe praninë në tregjet ndërkombëtare.
“Toka Olives Oil”, një prej brendeve të reja në prodhimin e vajit ekstra të virgjër të ullirit dhe ullirit të tavolinës, ka investuar në pajisje dhe linja të reja për përpunimin e ullirit, duke synuar rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së produkteve.
Në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve, kjo sipërmarrje ka lidhur kontratë me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) për mbështetjen e investimit në pajisje dhe linja për përpunimin e ullirit. Kompania është gjithashtu një prej përfitueseve të Kredisë së Butë me Garanci Sovrane.
Përfaqësuesja e kompanisë, Pranvera Goxho, shprehet se tashmë kompania ka krijuar një brand të ri në sektorin e vajit të ullirit dhe ka nisur eksportet.
“Jemi një kompani e re dhe kemi krijuar një brand të ri të vajit të ullirit. Tani po eksportojmë dhe synojmë zgjerimin, falë investimeve në teknologji moderne, me mbështetjen e Skemës Kombëtare dhe Garancisë Sovrane”, thekson Goxho.
Produktet e kompanisë eksportohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe në tregjet evropiane, ndërsa janë të pranishme edhe në tregun vendas.
Krahas zgjerimit të tregjeve, produktet e kësaj kompanie kanë marrë vlerësime edhe në arenën ndërkombëtare. Vaji organik i ullirit i kompanisë është vlerësuar me çmimin “Gold Award” në Kanada.
Investimet në teknologji të reja synojnë t’i japin më shumë vlerë prodhimit vendas, duke rritur kapacitetet përpunuese dhe mundësitë e eksporteve të produkteve shqiptare të ullirit në tregjet ndërkombëtare.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

