Garda kundërshton Berishën, Kuvendi ”skenë krimi”. Prokuroria mbledh provat

”Grevë të përkohshme”, e quajti Sali Berisha qëndrimin e grupit të Rithemelimit në seancën plenare, ku karriget e deputetëve të PS-së ishin kthyer përmbys. Pas seancës, Berisha akuzoi se gardisti që shtyu deputetin Ervin Salianjin kishte armë. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi lajmëroi se do të bëhet një kallëzim penal në SPAK për Lindita Nikollën për shpërdorim detyre.

Garda e Republikës rrëzon akuzat e Berishës. ”Ky pretendim është tërësisht i pa vërtetë.
Asnjë prej punonjësve të Gardës së Republikës, siç parashikon baza ligjore në fuqi, nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri brenda sallës ku zhvillohen punimet. Garda e Republikës mbetet e vendosur të ushtrojë gjithë përgjegjësitë dhe detyrat e ngarkuara, në funksion të garantimit të ligjit”.

Përplasjet fizike mes Qefalisë-Spahos-Mziut, tek përmbysja e karrigeve dhe ndezja e flakadanëve, shoqëruan seancën e sotme, e cila u mbyll shumë shpejt ndërsa deputetët socialistë votuan në këmbë 21 projektligjet dhe projektvendimet.

Në ambientet e Parlamentit pas seancës mbërriti drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Që në fillim të senacës u panë forca të shtuara policie. Oficerët e policisë gjyqësore mblodhën provat në sallë.

SHKARKO APP