Gati konferenca ndërqeveritare për grup-kapitujt e parë, Rama ndan pamjet: BE, i vetmi vend ku duam të jemi!
Para nisjes së Konferencës së Dytë ndërqeveritare, kryeministri Edi Rama ka folur për mediat.
Ai u shpreh se vendi ynë nuk ka asnjë rrugë tjetër veç Bashkimit Europian dhe Europës.
Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se sot do të çelen pesë kapituj dhe tre kritere, për të cilat Shqipëria duhet të punojë fort në mënyrë që t’i përmbushë e të përparojë në proces.
“Është mënyra më e mirë për të nisur ditën dhe pavarësisht motit gri të Luksemburgut, ndihemi shumë entuziastë, mjaft të inkurajuar, që më në fund nisim me pjesën më të vështirë të punës, që nënkupton çeljen e grup-kapitujve të Themeloreve. Do të përmbyllim brenda afatit tonë mjaft ambicioz të gjithë këtë proces të negociatave dhe do ta bëjmë Shqipërisë të ulet si e barabartë rreth tryezës së shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj Bashkimit Europian që prej ditës së parë që i ikëm ferrit të diktaturës, duke qenë vendi më i izoluar komunist në Europë. Kështu që pavarësisht si është situata, ne nuk kemi hequr dorë, sepse për ne Bashkimi Europian dhe Europa janë i vetmi vend, ku duam të jemi. I vetmi vend që duam t’u lemë brezave të ardhshëm. Ky moment është i veçantë, edhe falë Vladimir Putinit, që zgjoi nga gjumi dhe më skeptikun që i bëri të zgjohen, të shohin realitetin dhe të shohin sa i nevojshëm është Ballkani Perëndimor për BE-në, ashtu sikurse edhe BE është e nevojshme për Ballkanin Perëndimor. Kemi detyra shtëpie për të bërë, një mal për t’u ngjitur. Por jemi në ngjitje e sipër me ide të qarta, me vullnet të fortë”, tha ai në një deklaratë për gazetarët.