Gazeta e madhe franceze shkruan: Shqipëria është Afrika në Evropë
(Botuar me 1 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Gazetari francez Jean-Pierre Tuquoi, në shkrimin e tij “Një mijë hallet e Shqipërisë”botuar më 26 Maj në “Le Monde”, na shpalos kësaj radhe “Mbretërinë shqiptare të çorganizimit të organizuar”, që ai zbuloi gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri kohët e fundit. “Le Monde”i kushtoi Shqipërisë një faqe të tërë gazete me një grafik, ku në maj të piramidës shqiptare, lëshon rreze “Marlboro”. Tepër cinike edhe pse s’ke çfarë t’i kundërshtosh një gazetari perëndimor, i cili kur vjen në Shqipëri ndesh një hendek të madh me qytetërimin e sotëm perëndimor. Me gjithë korrupsionin, kaosin, mungesën e një ndërgjegje kolektive tek çdo qytetar, imazhin e një vendi që ende s’po integrohet si duhet në rrjedhat evropiane, në konstatimet e tij ka dritë, ka shpresë, sepse Shqipëria ka filluar t’i ngjitet asaj të përpjete, edhe pse e ka të vështirë dhe të mundimshme. E megjithatë, besimi është se një ditë, të përpjetës do t’i dilet mbanë. Ne gëzohemi me konstatimet pozitive globale, por trishtimi është i madh kur Shqipëria për nga “pasuria”e saj e sotme pozicionohet midis Pakistanit dhe Burkina Fasus; kur mirëqenia shqiptare varet më shumë nga diaspora, valuta që hyn nga jashtë, sesa nga forcat e saj të brendshme produktive dhe thithja e investitorëve të huaj, të cilët gjer më sot janë të rrallë, për pasojë e një legjislacioni “flu” të pasigurt për biznesmenët e huaj, që vërtet kanë dëshirë të investojnë në Shqipëri dhe të bashkëpunojnë me partnerët e tyre shqiptarë. Por le të lexojmë se çfarë shkruan ndër të tjera J.P.Tuquoi, në shkrimin e tij:
“E rrënuar gjatë 45 vjetëve të atij socializmi që krijoi botën e tretë në Evropë, Shqipëria ka ndërmarrë rimëkëmbjen e ekonomisë. Por kjo demokraci e re është mbretëria e “çorganizimit të organizuar”… Shqipëria është Afrika në Evropë. Është një cep i botës së tretë që ka mbirë në kontinentin e vjetër. Statistikat e institucioneve ndërkombëtare japin të dhëna se deri ku kanë arritur dëmet e shkaktuara në Shqipëri gjatë 45 vjetëve të një socializmi të dhimbshëm për individët dhe shkatërrues për ekonominë. Ndërtesa të ndotura me fasada të mbushura me antena parabolike, udhëtarë që shtyhen në autobusët e rastit të kthyer nga rrugët e Parisit e Frankfurtit, grumbuj plehrash në rrugë. Ky është spektakli i Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë me kortezhin e lypësve të rreckosur dhe fëmijëve të hedhur në rrugë, çka simbolizon dështimin e këtij vendi. Për nga përmasat, kryeqyteti shqiptar dallohet menjëherë nga metropolet e vendeve në zhvillim. I vogël me ngjyrën provinciale nga një legjislacion që i ndalonte dikur fshatarit shqiptar të linte fshatin për të kërkuar fatin e tij në qytet. Rezultati është se të paktën 40 për qind e popullsisë sot është qytetare. Për banorët e Verilindjes në Shqipëri, një zonë malore dhe e shkëputur nga gjithçka, tentativat për emigracion janë të mëdha.
“Tirana nuk ka bërë asgjë për ne që ishim antikomunistë” – ankohet kryetari i rrethit të Dibrës, Mentor Bunguri. Të varfër midis të varfërve, fshatarët bujq mbijetojnë me një të ardhur vjetore që nuk i kalon 500-700 frangat. Mbi këtë tokë shterpë “nuk ka veçse gurë që mbijnë”- thotë një nga fshatarët. Atëherë njerëzit i mbledhin ato për t’ua shitur qytetarëve për ngritjen e shtëpive private… Në Tiranë, furnizimi me ujë është i përkohshëm, telefonat funksionojnë keq por cigaret amerikane, biskotat “made in Italy”dhe disa lloj gazetash mbushin rrugët. Veturat janë shfaqur në ato rrugë që dikur ishin të zbrazëta. Një gjysmë duzine restorantesh italiane dhe franceze, presin “borgjezinë e re”… industria është në një gjendje akoma më të mjerueshme. Nën diktaturën e E. Hoxhës, kundërshtarët politikë dërgoheshin në minierat e pasura të kromit, bakrit dhe nikelit. Kështu Shqipëria arriti të vihej në radhën e tretë të prodhimit të kromit në botë. Por demokracia i tronditi të gjitha. Minierat janë braktisur se nuk ka të burgosur politikë. Pyjet me pisha të Veriut kanë ende lëndë por nuk arrihet të eksportohet. Gjendja e uzinave nuk është më mbrapa, bile edhe ato të ndërtuara në fillimin e viteve 80 me ndihmën e kinezëve. Dekompozimi i tyre është gjithnjë e më i rëndë. Tubacione të zhveshura, kanalizime të hapura, vetëm shkatërrime të mjerueshme. Kudo në Shqipëri, shumica e uzinave kanë ndaluar prodhimin dhe personeli i tyre është pa punë. Në Peshkopi, fabrika e qumështit ka rënë në heshtje prej 3 vjetësh, kurse një ndërmarrje tjetër e destilimit të rakisë, një alkool i vendit, po jep shpirt. Përpunimi i frutave bëhet me raste dhe tregtimi i tyre është bërë problematik që me shpërbërjen e rrjetit shtetëror të shpërndarjes. Nesër kur ajo të mos funksionojë, 300 vende pune do të mungojnë në Peshkopi. Pastaj gjatë një viti shteti do t’u japë një shpërblim prej afro 70 frangash në muaj. Po pastaj? “Ata s’kanë ç’të bëjnë tjetër veçse të kthehen në shitës rrugësh”- përgjigjet gjysmë me të qeshur kryetari i rrethi Ukë Todaj. Megjithatë kjo Shqipëri gjysmë e shkatërruar po e ngjit të përpjetën. Pasi prodhimi kombëtar bruto ra gjer në 50 për qind tashmë treguesit po ngrihen. Po t’u besosh statistikave zyrtare ( të manipuluara me kujdes) vendi ka arritur një rritje prej 11 për qind më 1993 dhe 8 për qind më shumë me 1994. Këtë vit ajo pritet të rritet 7 për qind. Inflacioni që arriti shifrën fantastike më 1992 tashmë ka rënë. Kuota e ngritjes së çmimeve është vendosur gjer në 10 për qind. Tashmë dhe banka po depoziton valutë. Ndërsa leku, kursi i të cilit bëhet me dollarin, po tregon një vlerësim të papritur. “Është një monedhë e respektuar”, – na siguron Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Dhe ai sikur të dojë të sigurojë skeptikët shton: “kursi i tij kishte tendencë në ngjitje. Bankës Kombëtare ju desh të ndërhynte dy herë më 1993 për të qetësuar tregun. “ Në realitet, një përmirësim i lehtë i regjistruar në ekonomi i detyrohet” monedhës së dërguar nga diaspora (pothuaj në 10 shqiptarë një jeton jashtë kufijve) apo nga huatë e dhëna nga organizmat financiare ndërkombëtare që tregojnë kujdes për një Shqipëri që kërkon të zhvillojë ekonominë e tregut. Në të kundërt të huaj nuk lëvizin për të investuar direkt në këtë vend. Legjislacioni i papërcaktuar mirë, mungesa e infrastrukturave, tregu i brendshëm mjaft i vogël, e zbehin entuziazmin e tyre. Më 1993 sipas BRED investimet e huaja në Shqipëri nuk i kaluan të 20 milion dollarët, pra 30 franga për person në 3 milion banorë. Të nxjerra me pikatore dhe me shumë vonesë, shifrat financiare të Shqipërisë konfirmojnë se vendi jeton me kredi. Sipas disa vlerësimeve zyrtare, më 1993 shqiptarët kanë importuar 5 herë më shumë se sa kanë eksportuar. Deficiti i balancës tregtare ishte në 40 për qind të prodhimit kombëtar bruto. Midis 1991-1993 huazimet me afat të mesëm e të gjatë janë dhjetëfishuar. Buxheti i shtetit nuk është më mirë. Vit pas viti “gropa” veçse zmadhohet. Më 1994 ajo ishte 8 për qind e prodhimit kombëtar bruto. “Që Shqipëria të ngjitë të përpjetën, duhet krijuar një klimë e favorshme për investitorët e huaj dhe të vendoset një sistem ekonomik liberal”deklaron Gramoz Pashko, një nga shefat e opozitës parlamentare që i afrohet në mendime Zh. Shirakut dhe ekonomistit amerikan M. Friedman, fotografia e të cilit është në zyrën e tij. Një personazh i vendosur dhe i vullnetshëm është Presidenti Sali Berisha, i cili mban të njëjtin pozicion në pikëpamjen ekonomike. Modeli i tij për zhvillimin e Shqipërisë? – Tajvani! “Strategjia e tij? – të ndërtojë një ekonomi të mbështetur mbi eksportin”. Prioriteti i tij ? – rehabilitimi i bujqësisë dhe zhvillimi i saj”… Detyrë e vështirë. Të privatizosh tokën bujqësore (1.4 ha) është e pamjaftueshme për të mbajtur gjallë një familje. Rrugët me asfalt janë një përjashtim. Konsumi i elektricitetit në fakt është i racionuar. Më shumë se një mijë fshatra nuk kanë telefon ( shatarët i kanë boshatisur kabllot për të rrethuar pronat e tyre private). Dhjetëra të tjerë s’kanë ujë të pijshëm. Në gjendje të mjerueshme janë shkollat të cilat u shkatërruar me ndryshimin e regjimit. Secili ka dashur të përfitojë. Shumica e kooperativave janë plaçkitur. Krediti bankar për to nuk ekziston. Në vjeshtë të vitit 1992 Banka Botërore krijoi një program për lançimin e kësaj bujqësie të shkatërruar dhe për të ulur nivelin e “varfërisë” së vendit. Realizimet e para të këtij plani mini-marshall që duhet të zbatohet sistematikisht janë në rrugë e sipër, por është krahina Verilindore e vendit, “rajoni më i varfër i gjithë Evropës”, – siç e pohon dhe Presidenti Berisha. Financimi i këtij plani ( disa qindra milionë franga) do të mbulohet në pjesën më të madhe nga Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e bujqësisë (FIDA), një organizëm i vogël por efikas i OKB-së. Në fakt nuk është korrupsioni ai që gangrenizon Shqipërinë. Nuk është ai që kërcënon projektet e FIDA. Rreziku është gjetiu, në tendencën e njerëzve politikë, që për efekte elektorale duan t’i imponojnë FIDA-s, projekte të dyshimta. “Përgjegjës të Fondit Kombëtar për Zhvillim janë shkarkuar kohët e fundit duke u zëvendësuar me njerëz që pranojnë të bëjnë lëshime”.
Përgatiti Luan Rama, Paris