Gazeta franceze: Si u minimizua rreziku nga tërmetet para 26 nëntorit
Nga Marion Dautry, La Croix
E heshtur, Dafina Gjoka sheh ekskavatorin teksa zhytet në rrënojat e një jete. Shtëpia e saj në fshatin e vogël të Thumanës nuk i rezistoi tërmetit me magnitudë 6.4, që goditi vendin tre javë më parë në orët e para të mëngjesit. “Mundëm të nxjerrim vetëm pasaportat dhe disa dokumente,” thotë gruaja e re, e cila erdhi të shohë shtëpinë e saj “teksa zhduket përgjithmonë”.
Lëkundjet nuk janë diçka e re në këtë rajon me aktivitet intensiv sizmik. Por ky tërmet i 26 nëntorit ishte më i fuqishmi në dekadë. Ai la 51 viktima, përfshi 24 në Thumanë, dhe mbi 1 mijë njerëz u plagosën.
“Gjëja më e keqe nuk ishte tërmeti, por ishte kur shihje trupat teksa nxirreshin nga rrënojat,” thotë Dave Gjergji me zërin që i dridhet.
Rreziku u minimizua
Në këtë rajon që ka nevojë për investime, 30 kilometra në veri të Tiranës, ndërtesat e braktisura nuk i mbijetuan tronditjes së fundit. Dave Gjergji vlerëson mbështetjen e autoriteteve për ristrehimin, por thotë se është e vonuar. Rreziqet u minimizuan, thotë ajo, ndërkohë që dridhjet kanë shkaktuar dëme në vitet e fundit.
“Autoritetet nuk bënë asgjë gjatë tërmetit të vitit 2018. Edhe pas tërmetit të shtatorit 2019, na u tha që mund të shkonim në shtëpi. Këtë herë ka viktima, kështu që po marrim ndihmë,” thotë ajo e hidhëruar. Deri më tani, bashkia dhe ministria përgjegjëse për ndihmë qëndrojnë të heshtura dhe nuk u përgjigjën kërkesave për intervistë.
Hidhërimi mbretëron gjithashtu edhe në Durrës, një qytet me 400 mijë njerëz në brigjet e Adriatikut, rreth 40 km në perëndim të Tiranës.
“Është e turpshme, një ndërtesë krejt e re që shembet kështu,” thotë Edmondi, një franko-shqiptar. E ndërtuar në vitin 2010-2012, rezidenca ku kishte investuar kursimet e tij, ka mbetur thjesht rrënojë. Shkallët janë mbushur me mbeturina, nga muret e apartamenteve mund të shohësh atë që ka mbetur nga sallonet dhe dhomat e gjumit të 150 familjeve.
Ndërtimet e kohës së komunizmit rezistuan
Një destinacion popullor veror, Durrësi ka parë një shpërthim të ndërtimeve që nga viti 2000. Bregdeti është mbushur me qindra hotele dhe pallate. Disa janë shkatërruar, të tjerë ngjitur kanë pësuar dëme të vogla. Drita, një grua e moshuar, jeton në një ndërtesë të paprekur të kohës së komunizmit, pak larg nga banesa e Edmondit. “Në atë kohë nuk ndërtonin për përfitime,” thotë ajo me një buzëqeshje ngjitëse.
Një kontrast i tillë provokoi zemërim dhe ndezi një debat kombëtar për sektorin e ndërtimit. Janë hapur hetime penale kundër ndërtuesve, inxhinierëve dhe zyrtarëve; dy pronarë hotelesh në Durrës, shembja e të cilëve ka shkaktuar katër viktima, janë mes të akuzuarve. “Rindërtoni ose do shkoni në burg,” ka kërcënuar kryeministri Edi Rama.
Do të duhen vite për të rindërtuar
“Edhe nëse do rindërtojnë, si mund t’u besojmë atyre,” thotë me zemërim Petro Sinollari, një tjetër fqinj i Edmondit. “Do të bëhet nga të njëjtit njerëz që e ndërtuan herën e parë”. I zemëruar dhe i pasigurt për të ardhmen dhe sigurinë e familjes së tij, ai thotë se më mirë të largohet nga vendi.
Autoritetet kanë nisur një proces regjistrimi për të lejuar viktimat e pastrehë të qëndorjnë pa pagesë derisa të rindërtohen shtëpitë e tyre. Mund të duhen vite për këtë. Dhe jo të gjithë shqiptarët mund të lënë tokën e tyre.
Në Thumanë, një pjesë e banorëve mbijetojnë vetëm me arat e vogla dhe bagëtitë. “Pa kafshë, nuk kemi asgjë,” thotë Gjet Gjonaj. Familja e tij me shtatë persona jeton në një tendë rrëzë mureve të plasaritura. “U telefonoj përditë ekspertëve për t’i pyetur nëse mund të riparohen. Ata përgjigjen gjithmonë “nesër””.