Gazetarët e ”Daily Mail” gjejnë Habilajn në një resort: Kush ju solli tek unë?
Për Elidon Habilajn, i cili hyri ilegalisht në Angli duke pretenduar se ishte një emigrant nga Kosova, në Vlorë kanë mbërritur gazetarët e “Daily Mail”. I riu i cili arriti të ishte pjesë e komunitetit në Scotland Yard, u punësua në një agjenci të ngjashme me FBI për të gjurmuar personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Elidon Habilaj është i dënuar në mungesë me 18 muaj burg, kjo kur kishte fituar nënshtetësinë duke gënjeur autoritetet policore britanike të cilat e punësuan, duke thënë se vinte nga Kosova, kohë kur vendi ishte në luftë.
Gjetja e ish-oficerit të Scotland Yard, nuk ishte e lehtë, por gazetarët u çuditën kur gjurmët e tij ishin në një resort turistik në Vlorë. Ai u gjet 6 vite pasi ai i shpëtoi drejtësisë britaike. Habilaj ishte punësuar nga Scotland Yard me detyrën e oficerit në mbledhjen e të dhënave për personat e shpallur në kërkim me qëllim ekstradimi.
E vërteta për identitetin e tij të rremë u zbulua kur ai nisi të kërkonte në sistem të dhënat e vërteta të emrit të tij. Habilaj u dërgua në gjykatë për mashtrim, por u zhduk dhe nuk u paraqit.
Megjithatë ai u dënua në mungesë për fitimin e lejes së qëndrimit përmes mashtrimit. Gjykatësi Martyn Zeidman lëshoi një fletë arresti e cila vijon të jetë aktive deri në momentin e kapjes apo dorëzimin vullnetar të Elidon Habilajt. Gazetarët e “Daily Mail” kanë shkuar në Vlorë për t’u takuar me Habilajn.
Kur ata e kanë pasur përballë shqiptarin e kërkuar nga drejtësia britanike, ai i inatosur u ka thënë: “Kush ju ka dërguar ju? Kush ju solli tek unë”? Më pas ai ka urdhëruar njërin prej puntorëve për ti larguar gazetarët nga vendi ku ata e gjetën. Një zëdhënës i Agjencisë Britanike Kundra krimit të organizuar NCA i pyetur për Elidon Habilajn është shprehur se: “Ne jemi duke punuar për Home Office në lidhje me këtë çështje”.

KOHA JONË SONDAZH

