Gazetarët shqiptrarë në kampin e të burgosurve të ISIS në Siri
Grupi i xhirimit të televizonit shqiptar “A2” arriti të hyjë sot në kampin Al Hawl në Siri. Gazetari Julian Kasapi së bashku më operatorin Endrit Myftari arritën të futen në kampin famëkeq. Redaksia e “A2” njofton në edicionin informativ të orës 15:00, të ditës së sotme se “pasi u kryen të gjitha kontrollet e sigurisë në hyrje të kampit, që prej atij momenti nuk kemi më asnjë kontakt me ta“.
Pas disa orësh pa kontakt, brenda kampit ku ndodhen të burgosur të ISIS dhe familjarë të tyre, gazetarët kanë arritur dalin nga kampi. Gazetarët njoftuan se kanë marrë dëshmi të shqiptarëve të tjerë që jetojnë në këtë kamp.
Në këtë kamp gjenden mbi 75 mijë persona, familjarë të luftëtarëve të ISIS dhe konsiderohet nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një inkubator për brezin e ardhshëm të ekstremistëve. Mes tyre janë edhe rreth 80 shqiptarë, bashkë me fëmijët e tyre, që ashtu si 11-vjeçari Alvin Berisha, presin për t’u shpëtuar.
“Për pak minuta futemi në kampin Al Hawl. Sipas stafit të sigurisë duhet të jemi mjaft të kujdesshëm, pasi në aneksin e të huajve ku ne pritet të futemi kanë ndodhur mjaft trazira, pasi konsiderohet edhe si pjesa më e radikalizuar të kampit. Vetëm javën e shkuar kanë ndodhur të paktën 10 vrasje, sipas stafit të sigurisë së kampit, ndërkohë që disa persona të tjerë janë rrëmbyer. Në këtë aneks jetojnë mbi 10 mijë persona, ndërkohë që ne do të mundohemi, pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion për të gjetur shqiptarët”, tha në një komunikim telefonik gazetari Julian Kasapi.