Gazetari holandez: Rikthimin e vizave nuk e kërkoi vetëm parlamenti
Kur sheh raportimet e mediave ndërkombëtare për Shqipërinë, zakonisht e has edhe emrin e Vincent Triest. Në kohën kur argumenti i ditës në Shqipëri mbetet mundësia e rikthimit të regjimit të vizave nga Holanda, Triest sqaron për MAPO se përse kemi mbërritur në këtë pikë dhe se si do shkojnë gjërat më tej.
Zoti Triest, ka shumë reagime pas një rezolute të parlamentit holandez që kërkon pezullimin e lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë. Disa thonë se kjo bëhet për konsum të brendshëm politik në Holandë, të tjerë thonë se vendimi është një goditje për qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë. Ju si do e interpretoni këtë rezolutë për opinionin publik shqiptar?
E para e punës është e rëndësishme për të theksuar që në këto momente nuk bëhet fjalë për një rikthim të vizave por për një propozim të miratuar nga Parlamenti Holandez. Ajo çfarë ndodhi ishte votimi i një propozimi të katër grupimeve parlamentare, të përbërë nga parti të majta, të qendrës dhe të djathta. Ky propozim u votua me konsensus të gjerë nga 9 grupe parlamentare që kanë më shumë se 2/3-at e numrit të deputetëve në Kuvend.
Mocioni pason një diskutim të gjatë, të nisur në fund të 2017-ës kur dy institucione të pavarura në Holandë, pikërisht Policia dhe Prokuroria Holandeze, propozuan si një masë emergjente rikthimin e vizave. Pra, mund të konstatojmë që përveç parlamentit holandez, ka dhe forca të tjera me peshë që kanë kërkuar një masë aq të ashpër. Holanda, si një nga shtetet themelore të Bashkimit Europian dhe kontribuuesi më i madh për frymë për BE-në, në këndvështrimin tim nuk ka asgjë me shqiptarët ose Shqipërinë.
Është e rëndësishme që të kuptojmë që Holanda nuk po kërkon një rikthim të përhershëm të vizave, por një rikthim të përkohshëm emergjent. Po ashtu, Holanda nuk ka thënë kurrë që shqiptarët janë popullatë problematike e përfshirë në krime, por Parlamenti, Policia dhe Prokuroria kanë thënë që disa shtetas shqiptarë janë të përfshirë në një përqindje shumë të lartë te personat që tregtojnë drogërat e forta në Holandë.
Në fund të fundit, Holanda nuk ka kërkuar diçka të pamundur. Shqipëria i ka të gjithë institucionet e nevojshme për të luftuar në mënyrë sa më efikase problemet e ngritura nga Holanda. Edhe nëse politikanët në Shqipëri mendojnë që kufiri i luftës ndaj krimit të organizuar është vendosur shumë lart nga Holanda, atëherë unë dua të vë në dukje që të gjithë vendet në botë janë bërë shtete më të mira kur kanë luftuar në një mënyrë efikase krimin e organizuar. Ndoshta tani në terma afatshkurtër Holanda duket e ashpër, por në të ardhmen një lufte efikase do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Sa shqetësues është krimi shqiptar për Holandën? A mund të ndikojë kjo te hapja e negociatave?
Nëse duhet t’i besojmë zyrtarët holandezë në Polici, Prokurori dhe Parlament, numri i shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës në Holandë është i lartë. Dua të theksoj që ky nuk është mendimi im personal por mendimi i 105 deputetëve në Parlament që votuan në favor të rikthimit të vizave.
Nëse Shqipëria vërtet do të bëjë progres në rrugën drejt Bashkimit Europian, atëherë është më se e qartë që Shqipëria duhet të bindë 105 ”skeptikët” holandezë. Kjo bëhet duke treguar rezultate të qarta nga “detyrat” e dhëna nga Parlamenti Holandez dhe për të rritur më tej një bashkëpunim efikas dhe konstruktiv mes dy vendeve.
Nëse Shqipëria i përmbush kushtet e dhëna nga Holanda, atëherë nuk shikoj asnjë arsye përse Holanda duhet të bllokojë Shqipërinë.
KOHA JONË SONDAZH

