Gazetari “i kthehet” zv.ministrit: Anti-KÇK, një lodër e rrezikshme në duart e policisë

Përballë numrit 2 të Ministrisë së Brendshme, Besfort Lamallari, gazetari Trashgim Sokolaj në studion e lajmeve në Ora News tha se qeveria me paketën anti KÇK po i jep policisë një lodër të rrezikshme në dorë.

Ai madje e pyeti Lamallarin se çfarë do të ndodhë me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Por në përgjigjë zv. ministri kundërshtoi që kjo paketë i jep kompetenca të shtuara policisë.

Sokolaj: Ky prokuror i SPAK sot, me ligjet që janë nuk i jep llogari prokurorit të përgjithshëm. Prokurori i përgjithshëm është larguar nga mundësia për të ndërhyrë në hetim. Në kornizën ligjore të mëparshme, prokurori i përgjithshëm kishte të drejtë të shfuqizonte vendimin e prokurorit më të ulët. Ju jeni duke i dhënë në dorë policisë një lodër që është e rrezikshme dhe ajo nuk ka nevojë për këtë gjë. Policia e ka bazën ligjore shumë të mirë, bashkëpunimin me prokurorinë mjafton që të jetë dhe vullneti i përbashkët. Sepse prokurorët thonë se nuk kemi një referim nga policia. Kjo është ankesa e tyre.  Po me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar çfarë do ndodhë?

Lamallari: Nëse ne mendojmë se institucionet e këtij vendi janë të ndara për hesap të vet, kjo nuk ka të bëjë fare me një shtet serioz. Koordinimi dhe bashkëpunimi për qëllime të përbashkëta, është si në interesin e prokurorisë, policisë dhe gjykatës dhe qytetarit. Ky komitet ka rol programativ, koordinon politikën, shikon se si janë zbatuar këto masa shikon nevojën që kanë për mbështetjen buxhetore për të bërë të mundur sa më mirë zbatimin e këtij akti normativ.

SHKARKO APP