Gazetari u sulmua dje në Kavajë nga mbështetësit e PS, Çipa: Ballafaqimi i një pushtetari me medien duhet të jetë transparent
Unioni i Gazetarëve e ka dënuar me ashpërsi dhunën ndaj gazetarit të Ora News duke kërkuar nga kryetari i bashkisë reagim publik, distancim nga ky akt si dhe nga autoritetet policore zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
I ftuar në studion e RTV Ora kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa shprehet se këto incidente janë të papranueshme për realitetin e medies shqiptare. Sipas zotit Çipa në çdo moment ballafaqimi i një qeveritari me median është e detyrueshme të ketë transparencë.
Përsa i përket publikimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe hetimit nga SPAK, Çipa shprehet se hetimi duhet të fokusohet jo tek vlera e dëshmitarëve, por te gjetja e burimit prej nga kanë rrjedhur këto të dhëna.
Është e disata herë që përsëriten akte dhunë ndaj gazetarëve të RTV Ora.
Aleksandër Çipa: “Është e prerë që këto raste dhe incidente të tilla janë të papranueshme për realitetin e medies shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për atë funksion që duhet të kenë në marrëdhënien midis tyre media dhe pushtetet e tjera. Unioni i Gazetarëve reagoi ndaj reporterit të Ora News sepse sekuenca e paraqitur, për vendosjen e reporterit ndërsa ishte në krye të detyrës, përballë një grupi agresor njerëzish të cilët kishin të bënin me veprimtarinë politike që po bënte kryetari i bashkisë. Në këtë rast mes RTV Ora dhe kryetarit të bashkisë ka një marrëdhënie kritike, kryetari i bashkisë është ai që duhet të investohet për një transparencë në raport me medien dhe me reporterët.”
Pavarësisht marrëdhënie kritike, a mund të na mohohet e drejta e informimit publik?
Aleksandër Çipa: “Kurrsesi! Do të isha kundër vetvetes dhe nuk do të isha në raportin tim profesional nëse do të pohoja të kundërtën. Në çdo moment ballafaqimi i një qeveritari me median është e detyrueshme të ketë transparencë. Edhe në rastin kur ky përfaqësues politik nuk ka asgjë për të pohuar për çështjen që po pyet gazetari,për të ruajtur integritetin fizik, mjafton të përdorë përgjigjen “no comment” dhe pas kësaj presupozohet që përgjigjja e tij është e shteruar për reporterin.”
Zoti Çipa gjatë viteve ët fundit liria e medias ka shënuar momente kritike në përballjen me qeveritarët. Shohim që ka nëj arrogancë të pushtetit për të mos dhënë informacion për median, për ta sulmuar dhe kjo mbi të gjitha e merr frymëzimin nga sjellja e kryeministrit.
Aleksandër Çipa: “Ndjej keqardhje që episode të shpeshta midis përfaqësuesve institucionalë dhe reporterëve të cilët janë në krye të detyrës është një shmangie dhe shpesh gjeneron në incidente të tilla. Fatkeqësisht në këto ballafaqime vihet kategoria më aktive e komunitetit tonë profesional që jsnë reporterët. Injorimi apo heshtja ndaj fakteve të tilla nga pushteti ekzekutiv, madje shmangia edhe nga vetë kryeministri përbën një marrëdhënie kritike në detyrimin që ka kryeministri dhe përfaqësues të tjerë të administratës publike për llogari-dhënie publike dhe transparencë. “
Ndërsa është zbuluar se të dhënat e e-Albania kanë përfunduar në zyrat e PS-së, SPAK ka nisur hetimin por e ka drejtuar skandalin e përgjimit jo te mënyra si janë marrë këto të dhëna dhe si po përdoren, por tek Lapsi.al dhe tek dy drejtuesit e tij.
Aleksandër Çipa: “Në fakt ky është një proces në hetim dhe do të doja që SPAK të fokusohej jo tek vlera e dëshmitarëve, por të fokusohej te gjetja e burimit prej nga kanë rrjedhur këto të dhëna. Çdo përfshirje në cilësinë e dëshmimit të imponuar dhe të detyruar prej autoritetit të SPAK-ut ndaj dy gazetarëve do të përbënte një precedent të rrezikshëm të dhunimit të Konventës Ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Unë do të apeloja dhe në cilësinë e drejtuesit të Unionit të Gazetarëve që SPAK-u nuk mund të këmbëngulë dhe aq më tepër të detyrojë.
Më lejoni të shpreh dhe një keqardhje tjetër. Nga autoritetet e organit të akuzës në Shqipëri janë ripërsëritur rastet e sekuestrimit të mjeteve të punës së gazetarëve. Të gjitha këto janë një tendencë për të politizuar një çështje e cila lidhet me drejtësinë, me principin themelor të ruajtjes së privatësisë së qytetarëve dhe me implikimin politik nga një aseti të madh siç është ruajtja e të dhënave të shqiptarëve.”
Çfarë mesazhi jep kryeministri kur e konsideron normale spiunimin e jetës së të tjerëve?
Aleksandër Çipa: “Më shumë se sa me kryeministrin, unë dua të merrem me një nga çështjet më të e cila duhet të na shqetësojë si shtetas të një Shqipërie demokratike. Jemi para një rasti që zbulon kulturën e mbikëqyrjes. Provokacioni që shkaktohet prej këtij rasti është vërtet një çështje për të cilën duhet të hetohet.”
Çfarë mund të bëjë sistemi i drejtësisë kur kryeministri e mbron publikisht modelin e patronazhistëve?
Aleksandër Çipa: “Çdo avokati nda një precedenti të tillë është problematik dhe meriton kritikë të egër. Ajo që mund të them unë është se rasti i zbuluar së fundmi do ta tejkalojë datën e 25 prillit dhe si i tillë ai do ta humbasë vlefshmërinë e përdorimit elektoral dhe për më tepër politik. Mbas kësaj, do të apeloja që mediet ta mbanin në fokus këtë çështje për ta çuar atë deri në fund.”
BIRNI që ka përpunuar të dhënat e të ashtuquajturve patronazhistë ka zbuluar se janë të gjithë nën-punës shtetërorë të administratës publike. Rezulton që 300 prej tyre janë staf i bashkisë Tiranë, 190 të bashkisë së Kavajës dhe mbi të gjitha dinë se kur hyjmë dhe dalim nga Shqipëria. Pra, po përdoret administrata shtetërore?
Aleksandër Çipa: “Nëse këto janë të vërtetueshme, meritojnë përfshirjen në procesin e hapur hetimor nga SPAK. Nëse implikohet administrata publike, ky përbën një skandal dhe si i tillë duhet të mbahet në fokus dhe në vëmendje.”