Gazetarja kujton skenat pas tërmetit: Mbajti 8 orë në gji të bijën e vdekur

Skenat tragjike që la pas tërmeti i një viti më parë vijojnë të përcojnë emocione të forta tronditëse. Gjatë një rrëfimi në një intervistë për “News 24”, gazetarja Klodiana Lala ka sjellë edhe njëherë në vëmendje përjetimet e saj të asaj dite.

Gazetarja rrëfeu se kishte shkuar në Thumanë një ditë pas tërmetit ndërsa pamja atje ishte dramatike. Ajo ka rikujtuar punën me përkushtim maksimal të ekipeve të shpëtimit dhe operacionet e tyre të zgjatura me orë të tëra.

Një ndër to ishte dhe nxjerrja nga rrënojat e Diena Karanxhës, e cila doli e gjallë, por humbu jetën më vonë në spital. Bashkë me të humbi jetën dhe e bija.

Një tjetër rast po aq tragjik ishte ai i Ramë Lalës, të cilit iu shua e gjithë familja nga lëkundjet shkatërrimtare të 26 Nëntorit.

Një ditë pas tërmetit kam shkuar në Thumanë, ku pamja ishte dramatike. Pati një lëkundje tjetër shumë të fortë, ku gjithçka u ndërpre, të gjithë u traumatizuan dhe prisnin nga momenti në moment që gjithçka të shembej. Gjithkush aty përpiqej të bënte më të mirën. Për fat të keq, Shqipëria humbi 51 qytetarë të saj. Katër ditët e operacioneve të kërkim-shpëtimit ishin ditë rraskapitëse. Forcat tona kishin shumë pak mjete për të ndërhyrë, por përkushtimi i tyre ishte maksimal. Ardhja e forcave nga vendet e tjera solli një vrull të ri ë mënyrën si u punua. Forcat punuan për 11 orë për nxjerrjen e Diena Karanxhës, e cila doli e gjallë, por humbu jetën më vonë në spital. Ajo pati dramën, se mbajti të bijën të vdekur në gjirin e saj për plot 8 orë dhe nuk arriti dot të mbijetonte as vetë. Operacioni ishte i vështirë edhe në Thumanë, se pallatet kishin rënë në pjesën e përparme dhe ishte rreziku të shembeshin. Kujtoj dhe rastin e Ramë Lalës, i vetmi i mbijetuar i kësaj familje, ku operacioni ishte shumë i vështirë. Ishte fat i madh i tij që u mbështet pas muri, nga lavatriçja, që të dilte gjallë. Në momentin kur u nxor ai tha “poshtë meje është motra”. Unë i dëgjova këto fjalë të tij, edhe pse motra e tij në fakt kishte vdekur”, tha gazetarja Lala.

SHKARKO APP