Gent Ibrahimi: Më 19 dhjetor betohen 8 anëtarë të SPAK. Ja prokurorët që do transferohen
Këshilli i Lartë i Prokurorisë po zhvillon në këto momente mbledhjen plenare të saj, ku të pranishëm janë të gjithë anëtarët e këtij institucioni.
Kreu i KLP, Gent Ibrahimi, pohoi se me 19 dhjetor do të betohen 8 anëtarët e Prokurorisë së Posaçme, apo siç njihet nga opinioni publik si SPAK-u. Ngritja e kësaj strukture pritet të “shkrijë” Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa për 16 prokurorët e mbetur do të vendoset sot për t’i transferuar në rrethe.
“Më 19 dhjetor betohen 8 anëtarët e SPAK. 16 prokurorë nga Krimet transferohen në tjetër vend. Sot transferohen në rrethe prokurorët e mbetur te Krimet”,- tha ndër të tjera Gent Ibrahimi.
Kështu në prokurorinë e Shkallës së Parë të Tiranë janë emëruar prokurorët, Arens Çela; Blerim Tominaj; Besim Hajdarmataj; Doloreza Musabelliu; Elisabeta Imeraj; Manjola Kajana; Vladimir Mara; Sonila Muhametaj; Pranvera Pustina.
Ndërkohë, Artan Bajrami transferohet në Prokurorinë e Apelit në Tiranë, kurse Përparim Kulluri transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë, Shkodër.
Eugen Beci transferohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Korçës.
Beci dhe Kulluri janë shkarkuar nga vetingu, por nuk ka marrë vendim forme të prerë, ndaj është proceduar me transferimin e tyre.