Gërmime për flori në Pogradec

Gërmimet për ar nga persona ende të paidentifikuar kanë krijuar frikë dhe ankth në 30 familjet e fshatit Stropskë të komunës Dardhas në rrethin e Pogradecit.

Në këtë fshat si pasojë e gërmimeve është hapur një gropë gjigande që ka shqetësuar banorët pasi gërmimet kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut dhe për pasojë atyre u rrezikohen banesat.

Banorët thonë se shpesh herë janë përplasur fizikisht me personat që kryejnë gërmimet duke rrezikuar edhe jetën e tyre, por askush nuk i ka dëgjuar.

Nga ana tjetër shqetësimi i banorëve pranohet edhe nga administratori i njësisë administrative Dardhas, Alban Muçka i cili thotë se janë pezulluar gërmimet dhe po merren masa për personin përgjegjës.

Prej kohësh gërmimet për kërkimin e mineraleve të çmuara kryesisht të arit kanë sjellë shqetësim tek banorët e fshatit Stropskë të cilëve pas gropave të hapura nga këto kërkime po iu rrezikohen seriozisht banesat e tyre.

SHKARKO APP