Gerta Meta: Raporti i KiE-së për 25 prillin, pa surpriza, problem përdorimi i administratës e patronazhistët
E ftuar në Ora News me gazetaren Matilda Mcini, Gerta Meta drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike u shpreh se raportin e delegacionit të Këshillit Evropian për zgjedhjet e 25 prillit nuk kishte surpriza.
Ajo tha se është kritikuar përdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore, ka pasur presion ndaj nëpunësve që të votojnë për mazhorancën
Meta: Ne do të dalim me një raport përfundimtar sa u takon zgjedhjeve të 25 prillit së bashku me rekomandimet tona. Natyrisht që e kemi lexuar edhe raportin e delegacionit të Këshillit Evropian dhe nuk ishte surpriza sepse janë gjëra që edhe ne i kemi thënë. Të gjithë kritikat janë realiste dhe janë mendime që janë parë nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të brendshëm. Fakti që është kritikuar përdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore, ka pasur presion ndaj nëpunësve që të votojnë për mazhorancën, janë gjëra që janë të verifikueshme.
Edhe Kodi Zgjedhor e parashikonte që 4 muaj para zgjedhjeve kishte disa ndalese lidhur me qeverinë dhe qeverisjen vendore, për të shmangur një joshje të elektoratit përmes formave të tilla nga partia në pushtet. Përdorimi i administratës në fushatë ka qenë ndër pjesët më flagrante që kanë prekur standardin e zgjedhjeve.
Meta shtoi se dalja e të dhënave personale në publik dhe përdorimi i tyre nga një parti politike, ishte një shkelje e rëndë ligjore.
Meta: Diskutimi për patronazhistët ishte një çështje që i ndau kampet politike. Ajo që e preku procesin ishte përdorimi i të dhënave të shqiptarëve, të cilët nuk u pyetën dhe nuk u shpjegua se si dolën këto të dhëna. Kjo ishte një shkelje e hapur e ligjit, sepse shqiptarët ua besojnë institucioneve këto të dhëna dhe jo një partie politike që duhet të ketë informacionet e veta të siguruara në forma të ndryshme. Këto të dhëna janë shumë të ndjeshme dhe mund të përdoren nga persona për qëllime të caktuara. Prandaj institucionet duhet të marrin masat e duhura lidhur me këtë gjë.