Gjaku që nuk falet në lagjen e famshme ”Rus”
Nga: Redjon Shtylla
Hakmarrja është një plagë që ende dhemb në Shkodër, që mëngjesin e sotëm tronditi qytetin. 68-vjeçari Naim Bajri u vra në lagjen e famshme që është larë me gjak përgjatë viteve, lagjia ”Rus”. Viktima në momentin e vrasjes ka qenë në kafe së bashku me një punëtorin e tij, i cili është plagosur, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Fisi Bajri është i dëgjuar në qytetin e Shkodrës dhe natyrisht edhe nga policia. Pasi disa herë më parë anëtarë të këtij fisi janë arrestuar dhe akuzuar për ngjarje të ndryshme kriminale, por akuzat nuk kanë mundur të vërtetohen.
Hasmëritë dhe hakmarrjet nga fisit Bajri nuk kanë munguar. Kujtojmë që edhe viktimës Naim Bajri i kishin vrarë djalin 21 vite më parë. Autorët e vrasjes ishin Xhabir Shega, Kujtim Barbullushi dhe Ilimir Hajdari. Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015. Naim Bajri nuk ishte një person problematik, e kaluara e fisit të tij dyshohet si një nga pistat kryesore të atentatit.
Bandat në Shqipëri janë të njohura, dhe lidhjet mes tyre policia i di mirë, por prej vitesh kapja e tyre është e pamundur, ku roli i tyre shihet si më i fortë se vetë shteti. ”Bandat kriminale në Shkodër janë me salla operative”, thotë gazetari Artan Hoxha, që tregon edhe njëherë sofistikimin e tyre.
Kriminaliteti në Shkodër për bazë ka marrëdhëniet farefisnore, ndaj edhe kjo e bën më të vështirë punën e hetuesve për t’i zbardhur dhe për pasojë krimet mbesin pa autor. Në Shkodër ekzekutorët janë vendas, dhe viktima e rradhës mund të dihet se kush do të jetë.