Gjata: Inceneratorët të hetohen si grup i struktuar kriminal
Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata, thotë se inceneratorët duhet të hetohen si grup i struktuar kriminal, sepse kjo aferë mbi 400 milionë euro nuk mund të realizohet nga një njeri i vetëm.
”Ne këtë po kërkojmë, hetimin. Pritet shumë nga këto organe që të kemi një vendim. Ne e kemi konsideruar si grup të strukturuar kriminal sepse kjo aferë mbi 400 milionë euro nuk mund të realizohet nga një njeri i vetëm. Inceneratorët duhet të hetohen si grup i struktuar kriminal”, tha Gjata.
Sipas tij, kontrata e inceneratorëve është në kundërshtim me interesat e shtetit, favorizon koncensionarin dhe penalizon qytetarët dhe bashkitë. Ai pyet sesi mundet ta futësh në kontratë pa kusht dhe transportin e mbetjeve ta paguajnë vetë.
”Është zhvilluar pa garë dhe u regjistrua një ditë më parë në QKR. Shteti i ka dhënë lekët koncensionarit, pse i jep me koncension kur i jep paratë e buxhetit të shtetit dhe të taksapaguesve. Çfarë pune ka bërë koncensionari? Në Tiranë e Fier nuk ka përfunduar inceneratori, në Elbasan ka probleme. Ka kushte diskriminuese. Diferencën e paguajmë ne si fitim i munguar, kurse nga fitimi i tepricës nuk marrim asgjë. 29 euro për ton një çmim që do rishikohet për vit, por jo duke u ulur. Janë futur të gjitha bashkitë e qarkut Tiranë. Si mundet ta futësh në kontratë pa kusht dhe transportin e mbetjeve ta paguajnë vetë. Koncensionari duhet të marrë plehrat, transportin, përpunimin, djegien dhe energjinë. Detyrohen bashkitë që të përdorin mjete teknologijike për të ulur koston e mbeturinave”,- tha ai për ”A2cnn”.