Gjekmarkaj me demokratët në Rrëshen: Qeveria ka braktisur veriun, e dëshmoi me buxhetin e vitit 2025

Drejtuesi politik i PD-së i qarkut të Lezhës, njëherësh edhe nënkryetar i partisë, Agron Gjekmarkaj vijon takimet me demokratët. Gjekmarkaj është takuar me qytetarët e Rrëshenit, duke diskutuar për shqetësimet dhe ankesat e tyre, të cilët ai i quan të pafundme.

Në facebook, Gjekmarkaj shkruan se qeveria e ka braktisur veriun e vendit dhe këtë e konfirmoi me buxhetin 2025, ku nuk parashikohet asnjë investim.

”100 familje janë ende pa strehë pasi nuk është parashikuar buxhet nga qeveria. Që nga Marsi i viti 2023 është bllokuar po nga qeveria edhe bonusi i të pastrehëve pasi nuk ka asnjë rimbursim. Në Mirditë, janë boshatisur fshatra, emigrim masiv, kulla shekullore që rrëzohen bashkë lavdinë e dikurshme pasi jetesa është bërë e pamundur”,-shkruan deputeti.

Postimi i plotë i Gjekmarkajt

Këtë mbrëmje me demokratë e qytetar të Rreshenit! Qeveria bashkë me mëkëmbësit e tij, ka braktisur veriun dhe këtë e dëshmoi edhe me buxhetin e miratuar së fundmi që nuk parashikon asnjë investim serioz. Këtij realiteti dëshpërues nuk i ka shpëtuar as Mirdita. Gjatë takimit me demokratë dhe qytetarë të kësaj treve të mbushur me histori, qëndresë, kulturë e mikpritje, ankesat dhe shqetësimet janë të pafundme, çka dëshmon inekzistencën e dorës së qeverisë në ikje.

100 familje janë ende pa strehë pasi nuk është parashikuar buxhet nga qeveria. Që nga Marsi i viti 2023 është bllokuar po nga qeveria edhe bonusi i të pastrehëve pasi nuk ka asnjë rimbursim. Në Mirditë, janë boshatisur fshatra, emigrim masiv, kulla shekullore që rrëzohen bashkë lavdinë e dikurshme pasi jetesa është bërë e pamundur. Është e pafalshme që një qeverisje prej 12 vitesh të mos bëjë përpjekjen më minimale për të shpëtuar zhvillimin e fshatrave, bujqësinë apo blegtorinë. Rruga e Lurës, e premtuar me aq shumë zë, mbetet e pa përfunduar dhe më e keqja, dhe këtë vit asnjë qindarkë për të!

Jeta e vështirë në këto anë ka vetëm një përgjegjës, ka Edi Ramën i cili la këtë trevë e shumë të tjera pa asnjë mbështetje teksa mbjellë korrupsion dhe shpërndanë propagandë çdo ditë. Shkollat në Mirditë kanë shumë pak nxënës, mësimi në klasa kolektive e ka dëmtuar proçesin të nxënit, vendet e reja të punës një ëndërr në sirtar, mungesa e energjisë elektrike realitet i përditshëm dhe presioni me ndihmën sociale për të pamundurit, një kërcënim i vazhdueshëm. Bashkia Mirditë, mbetet e tradhëtuar dhe e prerë në besë nga pushteti në ikje!

SHKARKO APP