Gjenden shpendë të ngordhur në Vlorë, Shërbimi Veterinar monitorim në zonë

Një ditë pasi në qytetin e Vlorës u konstatuan shpendë të ngordhura, Shërbimi Veterinar i Vlorës ka zbritur në terren për të inspektuar situatën.

Tre grupe specialistësh veterinerë ishin sot në zonën e plazhin e vjetër, grykëderdhjen e Vjosës dhe në Lagunën e Nartës. Ata mblodhën shpendët e ngordhur dhe morën mostra për të analizuar shkakun e ngordhjes së tyre.

Demir Dervishaj inspektor në Shërbimin Veterinar në Vlorë, hodhi dyshimet për praninë e gripit të shpendëve, një sëmundje infektive e fshehur tek shpendët e egër, por që shfaqet si epidemi tek shpendët e oborreve dhe të komplekseve të mëdha.

“Me të marrë sinjalizimin nga banorët e zonës përreth dhe ne si drejtori e Veterinarisë ngritëm grupe kontrolli për të monitoruar gjendjen. Ne dyshojmë për gripin e shpendëve, por ne morëm mostra dhe do t’i dërgojmë për verifikim dhe përgjigjja vjen 3 ose 4 ditësh. Këto që janë gjetur të ngordhura, janë shpendë të egër, shpendë uji. Tek shpendët e egra, gripi i shpendëve është në gjendje të fshehur, por tek shpendët e shtëpisë shfaqet në formë epidemie. Urojmë të mos jetë gripi i shpendëve, tek njerëzit nuk është shfaqur, s’kemi pasur raste të tilla në vendin tonë. Për këtë sëmundje nuk ka vaksinim, por bëhet vetëm eliminim i atyre shpendëve të prekura”, tha Demir Dervishaj inspektor në Shërbimin Veterinar në Vlorë për mediet.

Eksperti veterinar shpjegon se edhe nëse rezulton grip i shpendëve, pasojat me infektimin e njerëzve nuk kanë ndodhur më parë.

“Ka raste, por në Shqipëri nuk është depistuar. Tek njerëzit, tek ne nuk është shfaqur. Nuk kemi pasur raste të tilla. Kjo sëmundje nuk ka vaksinim, vetëm me eliminim të kafshëve sikurse u shfaq para 3 vitesh në Durrës ku u vendos karantinimi’”, sqaroi Demir Dervishaj inspektor në Shërbimin Veterinar në Vlorë.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale që transmetohet shpejt mes shpendëve dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha për faunën dhe bujqësinë në zonat rurale. /j.p/

SHKARKO APP