Gjendja e jashtëzakonshme/ Kush përfiton nga shtyrja e saj me disa muaj?
Përsa i përket kohëzgjatjes maksimale të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, neni 174, i Kushtetutës, parashikon një periudhë maksimale 30-ditore, në bazë të së cilës është shpallur gjendja e fatkeqësisë. Në rastin tonë, duke qenë se tërmeti ndodhi më 26 nëntor, nuk do duhej që gjendja e jashtëzakonshme të shkonte më shume se fundi i muajit dhjetor të vitit që lamë pas.
Ligji i mbrojtjes civile parashikon se gjendja e fatkeqësise natyrore kalon në disa faza, të cilat fillojnë me ndodhjen e fatkeqësisë natyrore, vijon me fazat e kërkim-shpëtimit, verifikimin e pasojave etj. Dhe në fakt deri fund të dhjetorit, pra në harkun kohor të një muaji kalendarik aq sa parashikon dhe kushtetuta për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme fazat e parashikuara nga ligji u realizuan.
Por çfarë ndodhi? Edhe pse mbaroi faza e kërkim-shpëtimit, edhe pse u verifikuan pasojat në të treja qarqet, pra Tiranë, Durrës dhe Lezhë qeveria vendosi sërish që ta shtyjë gjendjen e jashtëzakonshme deri në fund të marsit. Edhe pse nuk u dha publikisht një arsye bindëse për këtë shtyrje, qeveria u justifikua me faktin se ka nevojë për më shumë kohë për të zhvilluar fazën e rindërtimit.
A ka ndonjë interes të fshehur për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme me disa muaj të tjerë? E parë në mënyrë analitike dhe kritike mesa duket po! Vendi gjendet sot pa opozitë, pa gjykatë kushtetuese, media është vënë në presion nëpërmjet një ligji shumë të diskutueshëm, organet e drejtësisë janë akoma në pikëpyetje, dhe në fund edhe qeveria po përballet çdo ditë me kritika të mëdha në punën e saj jo vetëm nga opozita, por edhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm.
Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme parashikon edhe marrjen e masave të jashtëzakonshme. Ndaj edhe në relacionin shoqërues të këtij vendimi janë parashikuar të gjitha masat që mund të ndërmerren që lidhen me: vendosjen e sanksioneve ndaj individëve që përhapin panik, vendosjen e masave sanksionuese ndaj mediave që publikojnë lajme që nuk janë marrë në rrugë zyrtare nga kanalet qeveritare, apo edhe vendosjen e gjobave ndaj bashkive, dhe subjekteve të tjera private që në një mënyrë apo në një tjetër nuk përmbushin detyrimet e parashikuara nga ky vendim.
Gjithashtu edhe Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme parashikon disa ndalime gjatë kohës që në vend vendoset kjo gjendje. Kështu është e ndaluar zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme, apo edhe zhvillimi i demontratave dhe protestave masive, pasi me ligj mund të vendosen kufizime të të drejtave të njeriut.
Ndaj në situatën që është vendi, mund të themi që shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme është në favor të qeverisë, sepse e “ndihmon” atë që të evitojë e të pengojë disa zhvillime politike që mund të rrezikojnë pozitat e saj.