Gjergj Buxhuku: Mbetjet, shteti s’e ka kryer detyrën

Flet për “Koha Jonë”, z.Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i “Konfindustria”-s

Shteti nuk e kryen detyrën e tij ligjore për sigurimin e sasive të nevojshme të mbetjeve vendore si lëndë e parë për riciklim. E si rrjedhim, industritë e lëna në baltë nga shteti i tyre përpunojnë sot mesatarisht vetëm 25%-30% të mbetjeve vendore. Një fakt të tillë e pohon gjatë një interviste për “Koha Jonë”, Gjergj Buxhuku, administratori i Përgjithshëm i “Konfindustria”-s. Nga ana tjetër, Buxhuku pohon se ngjarja tragjike e biznesmenit të resortit në Gjirin e Lalzit, përbën marketingun më të keq të mundshëm për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë. Dhe sipas tij, tashmë investime të huaja të rëndësishme në Shqipëri fatkeqësisht nga koha e ardhjes së TAP-it, Statecraft të kaskadës së Devollit, Shell, nuk ka më…

Intervistoi: Eglantina NASI

Buxhuku, si përfaqësues i botës së biznesit, si e vlerësoni ju ligjin për importimin e mbetjeve? Ç’të mira do t’i sjellë realisht ai industrisë së riciklimit dhe a i justifikojnë ato në fakt pasojat negative në mjedis?

– Debati i ngritur për ligjin e ashtuquajtur të mbetjeve, është tregues i qartë sesa e dobët, joprofesionale dhe e paqëndrueshme është vendimmarrja politike shqiptare, por gjithashtu flet edhe për disa zhvillime pozitive në shoqërinë shqiptare në tërësi.

Thelbi i historisë është i thjeshtë. Industria e riciklimit është hallke përbërëse e domosdoshme e zinxhirit të gjatë të pastrimit të mjedisit. Nuk ka arritje të standardeve mjedisore pa industrinë e riciklimit. Ndërkohë, sikur çdo sipërmarrje ajo duhet të jetë rentabile ekonomikisht, ku sasia e lëndëve të para janë vendimtare. Por strategjitë shtetërore të përkthyera me ligje me afate kohore të përcaktuara kanë dështuar plotësisht të prodhonin sasitë e nevojshme të mbetjeve/lëndë të para për industrinë. D.m.th, nga njëra anë sipërmarrja ka investuar mbi 150 milionë euro kapacitete industriale mbështetur në strategjitë qeveritare që datojnë nga viti 2011 dhe nga ana tjetër, shteti nuk e kryen detyrën e tij ligjore për sigurimin e sasive të nevojshme të mbetjeve vendore si lëndë e parë për riciklim. Si rrjedhim, industritë e lëna në baltë nga shteti i tyre përpunojnë sot mesatarisht vetëm 25%-30% të mbetjeve vendore. Në kushtet e ndalimit të importit në vitin 2013, industritë janë “de facto” të falimentuara për shkak të kostove shumë të larta për njësi. Nga pikëpamja thjesht mjedisore kjo do të thotë që vendi të përballet  me 25%- 30% mbetje të mirëfillta në vit më shumë në territor, nëse industritë mbyllen! Paradoksi qëndron, që në vend që opozita politike dhe aktivistët mjedisorë të vënë me shpatulla pas muri qeverinë për dështimin e plotë të krijimit të sistemit të integruar të mbetjeve vendore dhe ndalimin e paarsyeshëm të importit të lëndëve të para prej më shumë se 3 vitesh, shprehen kundër ligjit që në thelb është një masë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme për shpëtimin nga falimenti i industrisë së riciklimit. Për të qenë të sinqertë, ligji ka nevojë edhe për një përmirësim të rëndësishëm, që Konfindustria ia ka paraqitur komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që të arrihet optimumi në shpëtimin e industrive, rritjen e interesit të tyre të shfrytëzimit të mbetjeve vendore dhe njëkohësisht në mbajtjen e kuotave sa më të ulëta të importit.

Një tjetër çështje e mprehtë është dhe ajo e ekonomisë informale që po krijohet nga kultivimi dhe tregtimi i kanabisit. Çfarë impakti negativ krijon ajo në të vërtetë sipas jush për ekonominë vendase në tërësi, megjithë përfitimet momentale prej saj, të cilat përqendrohen në duart e pak njerëzve?

– Ekonomia informale në Shqipëri ka zënë 40%-50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto edhe përpara përhapjes së shumëpërfolur të prodhimit të kanabisit. Për të qenë i vërtetë, mendoj se në kushtet e një ekonomie jokonkurruese, me tregje strategjike të mbyllura në forme karteli, monopoli dhe oligopoli, infrastrukturë të dobët, institucione rregullatore joekzistente dhe e goditur ashpër nga kriza financiare globale, rreziku kryesor është mungesa e plotë e asnjë veprimi qeveritar për të penguar daljen e pakontrolluar e parave të shqiptarëve jashtë vendit. Afrimi i zgjedhjeve politike dhe paaftësia për t’u përballur me kërkesat minimale të shqiptarëve për mirëqenie  me mënyra ekonomike të ligjshme, mund të jetë shkaku i mbylljes së syve të shtetit për veprimtaritë e paligjshme ekonomike, përfshirë prodhimin e kanabisit. Gjendje kjo, që ngjan disi me lejimin e sistemit të piramidave dhe kulmimin me ngjarjet e frikshme te vitit zgjedhor 1996 dhe më tej.

Po legalizimin e kanabisit si të tillë, (një tjetër teori kjo që po qarkullon së fundmi në opinionin publik), e konsideroni si një risk për ekonominë? Apo jeni vetëm për legalizimin e tij vetëm për efekte mjekësore?

– Nga pikëpamja ekonomike do të pranoja ligjërimin e prodhimit të kanabisit me kushtin që të sigurohej shitja në terma afatgjatë e prodhimit për eksport. Nuk mendoj se kjo është e mundur kur pothuajse të gjitha vendet e kanë të ndaluar dhe e luftojnë si aktivitet kriminal. Kjo do të thotë se ligjërimi i prodhimit të kanabisit do të ishte vdekjeprurës për ekonominë dhe bujqësinë shqiptare. Pa përmendur pastaj nënshtrimin e plotë të politikës dhe shtetit nga grupet kriminale. Mendoni për një çast sikur të ligjërohet prodhimi dhe tregtia e kanabisit. Natyrshëm, shtyrë nga interesi, fillimisht investimet në prodhimin bujqësor masivisht do t’i drejtoheshin drejt kësaj kulture, magazinat do të ishin plot dhe një numër shumë i lartë njerëzish do të vareshin nga kanabisi. Në çastin kur vendet e tjera nuk e lejojnë eksportin e ligjshëm çfarë do të bëhej me prodhimin gjendje? Trysnia do të ishte shumë e lartë nga grupet kriminale, por edhe masa të mëdha popullsie të lidhura  njetesisht me prodhimin e kanabisit. Rreziku i kriminalizimit të çdo qeverie do të ishte shumë i lartë, duke u kthyer në problem madhor për Bashkimin Europian, por njëkohësisht edhe me shpërthimin e revoltave masive në vend, shoqëruar edhe me veprime të dhunshme. Nga ana tjetër, ekonomia do të ishte më keq se një Republikë Bananesh e Amerikës Qendrore, sepse bananet, të paktën janë prodhim i ligjshëm!

Tashmë biznesi i është nënshtruar një faze të dytë të anti-informalitetit. Cilat janë sipas jush efektet reale që ky aksion pati ndaj tij? A ndikoi vërtet siç thotë qeveria në zbutjen e evazionit fiskal apo e dobësoi edhe më tej aktivitetin privat në vend?
-Në fakt e vërteta është ndryshe. Pas fillimit të një fushate kundër evazionit fiskal në shtator të vitit 2015, qeveria bëri një prapakthehu shumë të forte kur e përjashtoi pothuajse plotësisht biznesin e vogël nga taksat. Sot gjendja përsa i përket shmangies fiskale është pothuajse e njëjtë. Ekonomia shqiptare ende ka një shmangie prej deri në 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Përsëri frika për votat e vitit 2016 mendoj se e bëri të dobët dhe kushtëzoi prapësimin e qeverisë. Natyrshëm, një goditje për biznesin e ndershëm dhe investitorët seriozë. Por megjithatë, mendoj se rreziku kryesor për ekonominë shqiptare është dalja e pakontrolluar e parave të shqiptarëve jashtë vendit.

Po afron fundi i vitit dhe tashmë pritet lançimi i paketës së re fiskale. Cilat janë propozimet që ju keni për ekspertët e Financave në kuadrin e saj? Çfarë masash fiskale do ta lehtësonin sipas jush biznesin? Dhe cilat taksa duhen hequr?
– Ekonomia shqiptare duhet t’u nënshtrohet reformave të thella për të pasur shpresa për të qenë e qëndrueshme, konkurruese dhe efektive në afatgjatë. Burimet janë të shumta, por menaxhimi i saj i deritashëm ka qenë plotësisht i gabuar dhe i dështuar. Duke mbajtur parasysh, sa më sipër thelbi i propozimeve të Konfindustrisë për paketën fiskale 2017 është përqendruar në ndryshime cilësore të politikave fiskale si për shembull, përshtatje e plotë në procedurat tatimore me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, ulje e përgjithshme e taksave dhe tatimeve në nivele të paktën të njëjta me rajonin, taksim i sheshtë, etj.

Sa u përket investimeve të huaja, si e shihni klimën aktuale në vend për tërheqjen e tyre. A po vijnë realisht sipërmarrës të huaj për të investuar te ne? Për të mos thënë që po largohen …
– Investime të huaja të rëndësishme në Shqipëri fatkeqësisht nga koha e ardhjes së TAP-it, Statecraft të kaskadës së Devollit, Shell, nuk ka më. Biznese të mesme dhe vogla të huaja nuk është t’i afrosh me barrë fiskale në rritje, konkurrencë e lartë nga vendet e rajonit, infrastrukturë relativisht të dobët, treg potencialisht të vogël, politika fiskale të paqëndrueshme, politika ekonomike të paqena, treg pune cilësisht të ulët, institucione të dobëta dhe korrupsion i lartë  etj. Është mëkat kur mendon se kishim një mundësi të mirë për të pritur bizneset e vendeve të Bashkimit  Evropian në kohën e goditjes së krizës globale nga viti 2008. Për të mos përmendur këtu ngjarjen tragjike si të biznesmenit të resortit në Gjirin e Lalzit, si marketingun më të keq të mundshëm për tërheqjen e investimeve të huaja!

Dhe sa i përket hartës së investimeve të huaja, a jeni pro afrimit edhe të atyre rusë? Po atyre kinezë? A duhet të ekzistojnë më, sipas jush, paragjykimet e trashëguara politike ndaj shteteve të tilla?

– Përgjigjja është e thjeshtë. Mjafton të veprojmë si vetë vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës veprojnë në këto raste dhe jo me parimin “bëj si them unë dhe jo si bëj unë”.

SHKARKO APP