Gjergj Fishta i mirëpritur në Vatikan
Nga Tonin Çobani
Gjergj Fishta ka marrë një dekoratë (“Medaglia di Benemerenza, 1925”) nga Papa Piu XI dhe është takuar me Papa Benediktin XV ( dy herë), si dhe me Papa Piun XII. Me Papa Benediktin XV ka qenë i shoqëruar nga Imzot Luigj Bumçi (herën e parë) dhe nga Provinciali i françeskanëve të Shqipërisë, Atë Pal Dodaj (herën e dytë). Në të dy rastet audienca është ralizuar me ndërmjetësimin e gjeneralëve të Urdhrit Françeskan: Serafino Cimino dhe At Bernardin Klumper.
Në sa me Papa Piun XII nuk ka qenë i shoqëruar dhe nuk ka pasur ndërmjetës për audiencë. Ka qenë vetë Papa Piu XII që e ka ftuar poetin shqiptar me rastin e emërimit të tij si akademik i Italisë, duke e vlerësuar atë emërim me fjalët “asht një nder për Fe, për Urdhën e për Kombit tand”.
“Pandaj,- është shprehur Papa Piu XII,- unë si mëkëmbës i Krishtit, kam pse të përgëzohem me ty, me Urdhrin tand e me Kombin tand.”
Jemi në vitin 1940, kur Fishta ndodhej në Itali për të realizuar bisedat e tij akademike të planifikuara për institucionet kryesore, sipas rregullave që kishte Akademia e Italisë për akademikët e saj të rinj.
Takimet me Papa Benediktin XV, i pari, me 6 mars 1919 dhe , i dyti, në pranverën e vitit 1921, janë kërkuar prej klerikëve shqiptarë. Takimi i parë kishte për qëllim lobingun te Papa për Korçën e Gjirokastrën që pretendoheshin prej grekëve. Dhe e morën një premtim. Papa Benedikti XV Tha:
“Kam me ba çmos, ç’ka të mundem per me iu ndihmue…”.
Është koha kur Gjergj Fishta, si sekretar i Imzot Bumçit (Imzot Luigj Bumçin në vijim do të jetë kryetar i delegacionit shqiptar) po udhëtonte për në Konferencën e Paqes në Paris.
Edhe në audiencën e dytë, Papës Benedikti XV do t’i kërkohet ndihma financiare për gjimnazin e Françeskanëve. Edhe kësaj radhe françeskanët shqiptarë nuk u ndanë pa gjë. Papa Benedikti XV dhuroi për gjimnazin e Françeskanëve në Shkodër 100 000 lira italiane, shumë të cilës i shtohen edhe 40 000 lira italiane të dhuruara prej Gjeneralit të Fançeskanëve, Atë Bernardin Klumper (holandez).
“Papa,- siç thuhet,- u gëzua sidomos, kur ndjeu se gjimnazi i ri s’do të ishte vetëm për të krishterë, por edhe për djem shqiptar të çdo besimi e krahine.”.
Gjimnazi Françeskan në Shkodër (Illyricum), drejtuar prej Fishtës, që nisi mësimin më 1921, është e para shkollë e mesme në Shqipëri ku mësimet zhvillohen në gjuhën shqipe, duke përfshirë edhe Teatrin e shkollës, që u bë njëri ndër institucionet kulturore më të rëndësishme të qytetit në saje të punës së Gjergj Fishtës si dramaturg, përkthyes dhe regjisor. Konica ka thënë: “Atë Fishta shkroi poezi drama, komedi… dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm. (F.Konica, Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore, Shkup, 1991, f.145-146.)
Papa Benediktin XV Atë Gjergj Fishta Papa Piu XIII