Gjergj Luca kurorëzon famën në mediat prestigjioze britanike dhe franceze
“The Guardian” dhe “Le Figaro” shkruajnë për “Trattoria Meloni” e Gjergj Lucës
Mediat prestigjioze evropiane, britanikja, “The Guardian” dhe francezja, “Le Figaro”, i kanë kushtuar një trajtim special sipërmarrjes së biznesmenit Gjergj Luca, restorantit, “Trattoria Meloni”, i cili nuk është thjeshtë një ambient shërbimi i klasit, por edhe një shprehje e mirënjohjes që sipërmarrësi Gjergj Luca, në emër të gjithë shqiptarëve, i bën marrëveshjes së pensioneve, që kryeministri, Edi Rama, arriti me homologen italiane, Giorgia Meloni, përmes së cilës përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Përkundër gojëve të helmatisura, që nëmin e shajnë me libër shtëpie, që akuzojnë e baltosin, të udhëhequr nga urdhra partiake dhe mëndje të errëta, ai, antikonformisti Gjergj Luca, qëndron i palëkundur dhe i paepur, në të bërit të gjërave siç ai di, siç më e mira përmbush realizimin e projekteve dhe implementon zgjimin e shpresës, se ky vend mund dhe duhet të bëhet, duke besuar te puna dhe përkushtimi, të cilat mundi t’i ngrejë në lartësinë e misionit, Gjergj Luca, ai që ka gjithnjë një gjë ndryshe për të ofruar dhe një arritje befasuese si fuqi shprese, si projekt dhe realizim.
Jo vetëm kaq, pas një buje të jashtëzakonshme nga mediat italiane dhe një interesi që kapi miliona, tani janë mediat prestigjioze evropiane, të cilat shkruajnë, jo vetëm për restorantin “Trattoria Meloni”, hapur në Shëngjin, por edhe për mundësinë që shqiptarët po ofrojnë për sistemimin dhe trajtimin në dy qendra të emigrantëve, “njëra në portin e Shëngjinit dhe tjetra rreth njëzet kilometra larg, në Gjadër, të cilat duhet të jenë funksionale në javët e ardhshme”, shkruan, The Guradian.
“Gjergj Luca, një sipërmarrës i çuditshëm 58-vjeçar (60 për të qenë të saktë), djali i një aktori të famshëm në Shqipëri, i vuri restorantit të tij në Shëngjin emrin Meloni, i joshur nga personaliteti i kësaj lidere politike të ekstremit të djathtë, të cilin ai e konsideron “të jashtëzakonshëm”, shkruan francezja “Le Figaro”.
Siç edhe është trajtuar gjerësisht në mediat e ndryshme, shqiptare dhe të huaja, italiane kryesisht, “Trattoria Meloni” përmban 70 portrete të kryeministres italiane, përzgjedhura dhe realizuara me mjeshtëri nga piktori, Helidon Haliti. Ata nuk janë thjeshtë portrete të Kryeministres italiane, Giorgia Meloni, por një shfletim foto pas fotoje në personalitetin dhe karakterin e saj, në impulsivitetin dhe meditativen, në gjendjet emocionale dhe reaguese që përbëjnë shpirtin e një gruaje të fuqishme që udhëheq në sfidat e mijëvjeçarit një komb të madh.
“The Guardian” në shkrimin e tij ka perifrazuar atë çfarë Luca ka thënë për AFP: “Kur kuzhina, arti dhe politika bashkohen, ju mund të bëni gjëra të bukura”. Dhe vërtetë, kur kjo trini e shenjtë e krijimit dhe komunikimit bashkërëndohen, krijojnë, jo një restorant model, por një marrëdhënie, tek e cila sintetizohet vepra dhe vlera e një mirënjohjeje dhe konsiderimi.
Dhe është kjo sipërmarrje, kjo ide e jashtëzakonshme, ajo që ka grishur dhe vijon të cyt interesin e medieve botërore, të cilat e kanë trajtuar gjerësisht, jo vetëm si një restorant shërbimi, por si një mënyrë që shqiptarët zgjedhin t’i jenë mirënjohës kryeministres italiane, për pensionet, por edhe për ridimensionimin e fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve unike që shqiptarët kanë me Italinë.
Këto shkrime në mediat prestigjioze dhe ky interes, janë shprehje e vlerësimi që bota po i bën, jo vetëm sipërmarrjes shqiptare, por edhe rolit që Shqipëria ka vendosur të ketë në zgjidhjen e një prej problemeve më delikate, me të cilat po ballafaqohet Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare, siç është emigracioni. Dhe shqiptarët, e dinë më mirë se askush, se ç’është emigrimi dhe se sa e rëndësishëm është një dorë që shtrihet për ndihmë.
Albert Vataj / Koha Jonë
(Materialet e plota të mediave prestigjoze i gjeni te linqet e poshtëshënuara)